Reforma në drejtësi është e pakthyeshme tha ambasadori i BE në Tiranë Silvio Gonzato, ndërsa nënvizoi se SPAK duhet të mbështetet nga qeveria dhe institucionet. Në fjalën e tij të mbajtur në takimin që u zhvillua në kuadër të Ditës së Drejtësisë, Gonzato tha se reforma në drejtësi duhet çuar para dhe se BE mbështet këtë proces.
“Ka shuma arsye për të festuar sot. Progresi i bërë nga SPAK kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Pastrimi nga sistemi i drejtësisë i prokurorëve dhe gjyqtarëve të korruptuar… Është kërkuar shumë kurajo për të qenë krenarë me punën e bërë nga SPAK. Reforma në drejtësi duhet të forcohet, duhet konsoliduar dhe duhet çuar përpara për të pasur më shumë rezultate. Këto rezultate t’u shërbejnë qytetarëve. Në këtë javë të Evropës kemi festuar në të gjithë vendin për gjithëpërfshirje në të drejtat e njeriut. Shqipëria ka bërë hapa të rëndësishëm në të gjithë këto fusha. Reforma në drejtësi është e pakthyeshme, dhe arritjet e SPAK duhet të jenë të pakthyeshme.
Përpjekjet për të konsoliduar arritjet e SPAK duhet të mbështeten nga të gjithë komponentët e shtetit duke përfshirë dhe qeverinë. Me këtë reformë është bërë shumë por sigurisht ka ende punë për të bërë. Doja t’u falënderoja për punën e bërë. BE mbështet institucionet e drejtësisë dhe do të vazhdojë ta bëjë. Ky takim është bërë me asistencën e BE. Takimi i Këshillit është një provë për këtë dedikim. Do të doja që të mbyllja këtë fjalim së BE e mbështet sistemin e drejtësisë dhe do të mbrojë të gjithë institucionet e drejtësisë.”, tha ai mes të tjerash.