Arrestohet autori që plagosi me thikë policin në Pukë

Policia ka bërë të mundur arrestimin e Mikel Lleshajt, 32-vjeçarit që plagosi me thikë një efektiv policie në një qendër votimi në Fushë-Arrëz.

Kujtojmë se, ngjarja ndodhi rreth orës 19:00. Polici i plagosur, Gëzim Osmanaj ndodhet në spital ku po merr ndihmën mjekësore.

Njoftimi i Policisë:

Fushë Arrëz, Pukë

Plagosi me thikë punonjësin e Policisë në krye të detyrës, kapet në kohë rekord autori.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Pukë, menjëherë pas ngjarjes së ndodhur në fshatin Bardhet të Njësisë Administrative Qafë Mali të rrethit Pukë, ku u plagos me thikë një punonjës policie që ishte në krye të detyrës, organizuan punën dhe falë kontrolleve dhe reagimit të menjëhershëm bënë të mundur që në kohë rekord të lokalizohej, kapej dhe arrestohej autori i plagosjes, shtetasi Mikel Lleshaj, 32 vjeç, banues në fshatin Qafë Mali, Pukë.

Ky shtetas, rreth orës 19:00, gjatë mbylljes së procesit të votimit, në momentin e mbërritjes në QV për të shoqëruar kutitë e votimit dhe materialet zgjedhore, ka plagosur me mjet preres (thikë), punonjësin e Policisë G. O., i cili ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën.

Materialet do t’i kalojë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Pukë, për vepren penale “Vrasja e punonjësve të Policisë së Shtetit” mbetur në tentativë./albeu.com

Shtuar 25.04.2021 23:02