Arrestohen dy të rinj në Korçë, kishin kthyer lokalin në “laborator droge”

Dy të rinj kanë rënë në prangat e Policisë në Korçë, pasi akuzohen për prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike.

Uniformat blu bëjnë me dije se dy të rinjtë, M. Xh., 29 vjeç dhe Dh. J., 27 vjeç kishin përshtatur ambientet e një lokali për të përgatitur drogën për shitje.

Njoftimi i Policisë

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve të DVP Korçë bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve M. Xh., 29 vjeç dhe Dh. J., 27 vjeç, banues në Korçë, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”; “Përshtatja e lokalit për përdorim droge”; “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”; “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”; “Fshehja e të ardhurave” dhe “Ushtrimi i një aktiviteti tregtar të paligjshëm ose të paregjistruar në organet tatimore”. Gjatë kontrollit që shërbimet e Policisë ushtruan në lagjen nr. 4, Korçë, në lokalin në përdorim të shtetasit Dh. J., aktivitet të cilin ky shtetas e ushtronte pa dokumentacionin përkatës dhe që ambientin dyshohet se e kishte përshtatur për përdorim droge, shtetasit M. Xh. iu gjet një mbështjellje me mbetje lënde të dyshuar narkotike kokainë. Shtetasi M. Xh., sapo ka konstatuar punonjësit e Policisë ka tentuar të largohet me forcë, nuk i është bindur urdhrit të punonjësve të Policisë për të ndaluar dhe i ka kundërshtuar ata. Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua një tavolinë në të cilën u gjet mbetje e dyshuar lënde narkotike kokainë dhe një mjet plastik, që shërbente për konsumimin e lëndës narkotike.
Materialet i kaluan Prokurorive të Rretheve Gjyqësore Korçë dhe Pogradec, për veprime të mëtejshme.


Shtuar 22.10.2022 13:09