Arrestimi i Dakos, detaje nga dosja hetimore: Ndërtuesi nuk respektoi kushtet teknike, pallatit nuk duhej t’i jepej leja e shfrytëzimit

Ditën e djeshme, ish-kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dakon të fundi është arrestuar me urdhër të SPAK së bashku me 8 ish zyrtarë të bashkisë së Durrësit dhe një ndërtues.

Ndaj Vangjush Dakos rëndon akuza për shpërdorim detyre në 2 raste. Njëra për leje ndërtimi të dhënë para 11 vitesh dhe për një tender të vitit 2014-2015 që i ka shkaktuar buxhetit të shtetit një dëm prej 18 milionë lekësh.

Janë publikuar detaje nga dosja hetimore e Vagjush Dakos, ku banorët e pallatit të dëmtuar nga tërmeti i nëntorit 2019 duke u bërë i pabanueshëm, thonë se  ndërtuesi nuk ka ndërtuar në përputhje me projektin e miratuar dhe kushtet teknike që parashikonte projekti.

Gjithashtu pallati nuk duhej kolauduar dhe as duhej dhënë leja e shfrytëzimit pasi ndërtuesi gjatë zbatimit të projektit nuk ka respektuar kushtet që parashikoheshin në projektin e miratuar.

“Pallati sipas kallëzimit është ndërtuar në  vitin 2012 duke shkelur kondicionet strukturore, projekt i cili është miratuar më pas me lejen e ndërtimit nga organet kompetente të administrimit të territorit. Sipas kallëzuesve, pallati është dëmtuar nga tërmeti i nëntorit 2019 duke u bërë i pabanueshëm. Banorët janë detyruar të zhvendosen në shtëpi të tjera pasi sipas tyre, projektuesit nuk kishin llogaritur mirë kushtet teknike në projektin e paraqitur nga shoqëria ndërtuese ashtu edhe ndërtuesi nuk ka ndërtuar në përputhje me projektin e miratuar dhe kushtet teknike që parashikonte projekti. sipas kallëzuesve leja e ndërtimit është dhënë në kundërshtim me ligjin dhe studimet gjeologjike dhe sizmike. Investitori sipas tyre nuk ka respektuar as kushtet teknike të projektit të miratuar nga KRRT e Bashkisë Durrës. Pallati sipas kallëzuesve nuk duhej kolauduar dhe as duhej dhënë leja e shfrytëzimit pasi ndërtuesi gjatë zbatimit të projektit nuk ka respektuar kushtet që parashikoheshin në projektin e miratuar” shkruhet në dosje.

Kallëzuesit pretendojnë se nga ana e zyrtarëve të bashkisë së Durrësit janë kryer veprime në kundërshtim me ligjin dhe përmbushjen e rregullt të detyrës, gjatë miratimit të lejes së ndërtimit ashtu edhe gjatë miratimit të lejes së shfrytëzimit.

 


Shtuar 7.06.2023 11:27