Teksa i gjithë opinioni publik po “vlon” për arrestimin e papritur të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, delegacioni i Bashkimi Evropian ka mbajtur një qëndrim të prerë.
Përmes një reagimi zyrtar, BE deklaron se nuk do të komentojë procedurat gjyqësore në vazhdim, por thekson se po ndjekin hetimin që po kryehet në Shqipëri ndaj kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.
“BE-ja mbetet e përkushtuar maksimalisht për të mbështetur përpjekjet e Shqipërisë në ndjekjen e këtyre reformave dhe për ta ndihmuar vendin të konsolidojë efikasitetin, pavarësinë, llogaridhënien dhe profesionalizmin e institucioneve të saj, si dhe përputhshmërinë e tyre me standardet e BE-së, si në sektorin e zbatimit të ligjit ashtu edhe në atë të drejtësisë,” deklaron delegacioni i BE.
Kujtojmë se Erion Veliaj akuzohet për konsumimin e 4 veprave penale, korrupsion aktiv e pasiv, pastrim parash dhe mosdeklarim pasurie, ndërsa mbi Ajola Xoxën rëndojnë akuzat e korrupsionit, pashtrim parash dhe mosdeklarim pasurie.
Reagimi i plotë:
Po ndjekim nga afër zhvillimet e fundit në lidhje me hetimin ndaj Kryetarit të Bashkisë së Tiranës. Megjithatë, BE-ja nuk komenton mbi procedurat gjyqësore në vazhdim.
Reforma në sektorin e drejtësisë dhe forcimi i shtetit të së drejtës në Shqipëri janë elementë kyç në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
BE-ja mbetet e përkushtuar maksimalisht për të mbështetur përpjekjet e Shqipërisë në ndjekjen e këtyre reformave dhe për ta ndihmuar vendin të konsolidojë efikasitetin, pavarësinë, llogaridhënien dhe profesionalizmin e institucioneve të saj, si dhe përputhshmërinë e tyre me standardet e BE-së, si në sektorin e zbatimit të ligjit ashtu edhe në atë të drejtësisë.
Roli specifik i Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) dhe pavarësia e saj në hetimin, ndjekjen penale dhe gjykimin e rasteve komplekse të korrupsionit, pa asnjë përpjekje për ndërhyrje politike apo presion të padrejtë, janë me rëndësi thelbësore për konsolidimin e shtetit të së drejtës në Shqipëri.