Anxhela Peristeri tërhoqi vëmendjen e të gjithëve në parakalimin e saj në tapetin ngjyrë bruz, në të cilin morën pjesë gjithë konkurrentët e “Eurovision” për këtë vit. Mediat e huaja shkruajtën për fustanin që Peristeri kishte përzgjedhur dhe ajo ka fituar aq vëmendje sa ka arritur të shpallet si e veshura më bukur.
“WiwiBlogs”, portali më i madh i “Eurovision”, ka organizuar një sondazh për publikun për të përzgjedhur këngëtaren e veshur më bukur dhe Anxhela ka mbledhur shumicën e votave. Fustani i kuq, i çarë deri në pjesën e sipërme të këmbës i punuar nga Valdrin Sahiti, duket se i ka pëlqyer shumicës së publikut europian. Duke qenë se sot paraqitja e jashtme është shumë e rëndësishme për një artist, kjo është një arritje për Anxhelën. Shpresojmë që pas kësaj fitoreje, Anxhela të marrë edhe çmimin e madh në festivalin europian.
Për këtë arsye ajo ka falenderuar publikisht të gjithë ata që e përzgjodhën e dhanë titullin e artistes së veshur më bukur.
“Faleminderit nga thellësia e zemrës për mbështetjen tuaj dhe që më keni votuar si të veshurën më bukur në tapetin bruz në Eurovision. Ja dolëm Valdrin Sahiti”, shkruan Anxhela në një postim.