Vëllai i pjesëtarit të FSK-së, Kushtrim Kokolla që u arrestua për vrasjen e Liridona Ademajt Murselit ka reaguar në lidhje me dyshimet për përfshirjen e tij në ngjarje.
Kanon Kokolla ka deklaruar se është i shokuar me këto zhvillime dhe se vëllai i tij është i pafajshëm.
Madje, sipas tij, i dyshuari ka qenë në shtëpi atë natë. “Jemi të shokuar! Por një gjë ta garantoj, se vëllai im në natën kritike ka qenë në shtëpi. Tjetër gjë nuk di.” – citohet se ka thënë ai.
Arrestimi i pjesëtarit të FSK-së e ka konfirmuar Ministria e Mbrojtjes. “Në mesin e të arrestuarve si të dyshuar për vrasjen në Prishtinë është edhe pjesëtari i FSK-së, K.K. Organet e drejtësisë janë duke hetuar rastin, por gjithashtu ky rast do të trajtohet edhe brenda organeve përgjegjëse të FSK-së, sipas rregulloreve dhe ligjeve në fuqi. Ministria e Mbrojtjes dhe Forca e Sigurisë së Kosovës shpreh ngushëllime të sinqerta familjes së viktimës. Siguria dhe mbrojtja e qytetarëve tanë është obligim!” – thuhet në komunikatë.