Analiza e VOA: Biznesi në Shqipëri mes vështirësive për të tretin vit më radhë

Sektori i biznesit në Shqipëri, përballoi për të tretin vit me radhë majft vështirësi që u thelluan nga agresioni rus në Ukrainë, i cili tronditi gjithë tregjet ndërkombëtare. Përfaqësues të sipërmarrjes private i thanë Zërit të Amerikës se kostot e prodhimit u rritën si pasojë e rritjes së çmimit të lëndëve të para dhe se qeveria nuk i mbështeti me politika të posaçme. Autoritetet thonë se subvencionimi i energjisë elektrike zë një vend të rëndësishëm të masave mbështetëse. Zyrtarët janë optimistë për të ardhmen, pasi sipas tyre rritja ekonomike ishte sipas parashikimeve dhe se borxhi publik e inflacioni pësuan ulje në pjesën e dytë të vitit që shkoi.

Në Shqipëri sektori i biznesit, mbylli vitin e tretë të vështirë, pas goditjeve të njëpasnjëshme, të tërmetit të vitit 2019, pandemisë së koronavirusit, 2020-2021, dhe agresionit rus në Ukrainë, në shkurt të vitit që lamë pas, që tronditi gjithashtu gjithë ekonominë botërore. Për pasojë çmimet e lëndëve të para, u rritën me dy deri në tre herë, duke sjellë dhe rritje të kostove të prodhimit. Përfaqësues të sipërmarrjes private thonë se janë ndjerë në vështirësi të mëdha dhe se nuk e gjetën veten të mbështetur me paketa subvencionuese nga qeveria, sikundër ndodhi në vende të tjera. Inflacioni mesatar për vitin 2022 ishte rreth 7%, ose rreth dy herë më shumë se para fillimit të luftës në Ukrainë. Por ndonëse rënduan konsumatorët, çmimet më të larta sollën 14%, ose rreth 500 milionë euro, më shumë të ardhura në buxhet, se një vit më parë. Përfaqësues të sipërmarrjes thonë se këto të ardhura, duhet të kthehen sërish tëk qyetarët dhe biznesi përmes paketave mbështetëse.

“Ka një tepricë të ndjeshme të të ardhurave për vitin 2022, dhe minimumi është që kjo tepricë duhej t’i kthehej sipërmarrjes dhe qytetarëve shqiptarë. Një gjë të tillë e kanë bërë të gjitha vendet e BE, dhe jo vetëm kaq, por kanë përfshirë dhe paketa subvencionuese në mbështetje të sipërmarrjes, për të mundësuar lehtësimin e kalimit të krizës”- u shpreh për Zërin e Amerikës, Nikolin Jaka, Kryetar i Dhomës së Tregëtisë dhe Industrisë, Tiranë.

Por zyrtarët bëjnë llogari të tjera kur bëhet fjalë për të ardhurat e shtuara në buxhet, kryesisht nga rritja e çmimeve.

“Shumica e publikut e mendon në formën e thjeshtë, që ka më shumë të ardhura dhe këto fonde janë atje shtesë, si tepricë, por nuk është kështu. Gjatë këtyre dy viteve, për shkak të rolit shtesë që mori qeveria për pandeminë dhe proçesin i rindërtimit borxhi publik është rritur. E para janë kostot shtesë që duhen mbuluar, e dyta janë dhe kostot e marrjes së huasë me normat e interesit ndërkombëtar që janë rritur. Për të mbajtur proçesin fiskal dhe makroekonomik të pandryshuar është e nevojshme që borxhi të mbahet nën kontroll dhe të ulet, në mënyrë që vitet e ardhshme në rast se kemi goditje negative, të jemi në kushte optimale për t’i ardhur në ndihmë ekonomisë”- u shpreh për Zërin e Amerikës Besart Kadia, Zv. Ministër i financave dhe ekonomisë.

Për të amortizuar krizën qeveria miratoi gjatë vitit të shkuar dy paketa të rezistencës sociale, për shtresat në nevojë. Pensionet u indeksuan me 9.5 %, pagat për disa kategori u rrtën me 7-15%, dhe mbështetja financiare në total arriti rreth 360 milionë euro, ku pjesën kryesore e mbajti subvencionimi i çmimit të energjisë elektrike me rreth 280 milionë euro. Çmimi i energjisë u liberalizua pjesërisht vetëm për biznesin e lidhur me tensionin e mesëm. Zyrtarët thonë se subvencionimi i energjisë elektrike për biznesin si dhe mbajtja e taksave të pandryshuara është një mbështetje optimale për sipërmarrjen private në kushtet e krizës. Por përfaqësues të opozitës mendojnë se biznesi nuk pati mbështetje të mjaftueshme.

“Biznesi duhej të kishte sistem taksash më të lehtë, sot e kemi me 6 nivele. Përkundrejt kësaj qeveria synon të prezantojë amnistinë fiskale, që rrit informalitetin. Duhej të kishim synuar të rrisnim formalitetin, ndërkohë qeveria duke prezantuar taska të reja dhe duke e shtrënguar më shumë, do të rrisë informalitetin. Duhej të kishim patur një strategji afatmesme për zhvillimin, por dhe për mbledhjen e të ardhurave”- tha për Zërin e Amerikës Jordia Tabaku, deputete e PD.

Duke ju referuar nismave financiare të qeverisë për rritjen e pagave për disa kategori në administratën publike, Znj. Tabaku, sjell në vëmendje se sipërmarrja private, që ka numrin më të lartë të të punësuarve rreth 90%, nuk ka patur mundësi të rrisë pagat, për shkak të krizës. Për pasojë punonjësit e sektorit privat, sipas saj janë të pambrojtur përballë rritjes së çmimeve.

“Sektori privat e ka patur të pamundur të rrisë pagat sepse, tatimi 15%, taksat lokale të rritura, kostot shtesë për energjinë pasi një pjesë e biznesve kanë dalë në treg të lirë , kosto shtesë për karburantin, si taksa e qarkullimit e rritur ndër vite, akciza e rritur, po rritet dhe me normën e inflacionit. Dhe këto rritje shpenzimesh të bizneseve e kanë bërë të pamundur që të ketë një rritje pagash në sektorin privat, apo që ai të zhvillohet dhe të bëjë investime. Qeveria duhej që stimulimin e ekonomisë të bënte përmes sektorit privat. Të hiqte një ngarkesë tek sëktori privat dhe ai do e hidhte këtë në ekonomi”- vijoi Jorida Tabaku, deputete e PD.

Ndonëse inflacioni mesatar për vitin 2022, ishte rreth 7% mjaft ekspertë kanë ngritur shqetësime, se artikuj të domosdoshëm të shportës si vajrat, drithërat apo bulmeti, patën një rritje disa herë më të lartë se ajo e pagave dhe pensioneve, dhe se kjo rëndoi së tepërmi buxhetin familjar. Madje dhe rritjen e dërgesave të emigrantëve me 10% për periudhën janar -shtator 2022, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ata e shohin të lidhur me pamundësitë e familjeve për të përballuar krizën pa ndihma nga të afërmit e tyre jashtë vendit. Zyrtarët thonë se është vështirë të kompensohet çdo shtresë shoqërore për të gjitha kostot e shportës.

“Sa herë kemi rritje të çmimeve në ekonomi, politika aktuale në shumë vende është lidhet me amortizim e kësaj problematike. Gjithsesi është e vështirë që të kompensohet çdo shtresë shoqëroreapo çdo familje për të gjithë kostot që kanë ata në shportën mujore. Financat publike, nëse shkojnë në kompensim të menjëhershëm të këtyre çmimeve, do të bëjnë që në një përiudhë afatmesme dhe afatgjatë çmimet të mos rikthehen në nivelin e mëparshëm, sepse tregu do shohë që ka fuqi blerëse të njëjtë. Në shpresojmë që çmimet të kthehen në normalitet në 6-8 muajt e ardhshëm”- vijoi Besart Kadia, Zv. Ministër i financave dhe ekonomisë.

Autoritetet ndërkaq kanë rritur optimizmin, bazuar në disa tregues ekonomik për vitin që lamë pas. Rritja ekonomike ishte brenda pritshmërisë 3.7%, inflacioni pësoi një ulje të lehtë në fund të vitit, ndërsa në tremujorin e tretë, ulje shënoi dhe borxhi publik nën 70%. Gjatë këtij viti ekonomia pritet të ndeshet me sfida të shumta, në varësi kjo dhe të zhvillimeve në tregjet globale. Ekspertët thonë se vende si Shqipëria me ekonomi të dobët, informalitet dhe borxh publik të lartë, janë më të rrezikuara nga krizat dhe masat për minimizimin e tyre, nuk kanë shumë ndikim në ekonominë familjare dhe sipërmarrjen private./VOA


Shtuar 4.01.2023 20:52