Analist dhe ish-gazetar/ Njihuni me ukrainasin që qëndron prapa fjalimeve të fuqishme të Volodymyr Zelenskyt

Në kohë të vështira dhe nën sulmet e vazhdueshme mbi Ukrainën, presidenti Volodymyr Zelensky ka arritur të përçojë mesazhe në mbarë botën.

Madje ai pothuajse çdo ditë mban fjalime nëpër parlamente të vendeve të ndryshme të botës, ku me këto fjalime ka bërë për vete shumicën e liderëve perëndimorë – nga të cilët kërkon ndihmë për dëbimin e ushtrisë ruse nga Ukraina që filloi agresionin më 24 shkurt.

Tani është mësuar se kush qëndron prapa këtyre fjalimeve të tij të fuqishme, që sjellin mesazhe të forta. Bëhet fjalë për ukrainasin 38-vjeç Dmitro Litvin, analist politik dhe ish-gazetar i cili me sa duket është i vendosur ta ruajë privatësinë.

Para se të mësohej se kush është autori i fjalimeve që janë bërë të famshme dhe janë ndjekur nga miliona njerëz në mbarë botën përmes rrjeteve sociale, Litvin kishte vetëm 200 ndjekës në Twitter, kurse sot kjo shifër nga çasti në çast po rritet.

 

 

“Mendoj se keni dëgjuar atë që kam shkruar”, thuhet në profilin e tij i cili nga fillimi i luftës shpërndau informacione për situatën në terren.

Edhe pse Dmitro është autori i fjalimeve të njeriut që po e përcjell e tërë bota, atij nuk i pëlqen shumë të flasë për këtë temë, por për “The Guardian” ka theksuar se ai është aty për të “shkurtuar” fjalët e Zelensky, për të cilin thotë se e di saktësisht se çfarë dëshiron të thotë.

“Presidenti e di gjithmonë se çka dëshiron të thotë dhe si dëshiron ta thotë. Emocionet janë gjëja më e rëndësishme, e presidenti është autor i emocioneve dhe logjikës”, shpjegoi Dmitro.

Litvin është pjesë e ekipit të brendshëm të presidentit dhe një prej njerëzve të rrethit më të ngushtë – e nga dita e parë e pushtimit punon shumë nga Bankova – versioni ukrainas i Shtëpisë së Bardhë.

Një prej këshilltarëve të Zelensky, gazetari Sergij Leshchenko e ka përshkruar Dmitrin, si “njeriu që çdo ditë mbledh idetë e presidentit Zelensky”.

Ai është pothuajse i panjohur në opinion, ndërsa me aftësitë e tij është njohur e tërë bota që nga fillimi i luftës në Ukrainë, dhe vazhdimin e kanë konsideruar fjalimin si armën më të fortë të Zelenskyt.

Dmitro dhe Zelensky e dinë mirë se çfarë janë duke bërë, pasi gjykuar nga të dhënat e anketës që e sjellë The Guardian, 95 për qind e ukrainasve besojnë se mund t’i bëjnë ballë agresionit rus, ndërsa 78 për qind konsiderojnë po ecën në drejtimin e duhur. Litvin madje pretendon se presidenti i Ukrainës mund të shërbejë si shembull për një sërë liderësh botërorë./albeu.com