“Amerika do të jetë gjithmonë aty për t’ju ndihmuar”, Blinken në Izrael: Kushdo që dëshiron paqe, duhet të dënojë sulmet e Hamasit

Sekretari amerikan i shtetit, Antony Blinken ditën e sotme ka zhvilluar një vizitë në Izrael.

Blinken ka zhvilluar një konferencë shtypi së bashku me kryeministrin Benjamin Netanyahu.

Në fillim të konferencës së tyre të përbashkët për shtyp, Netanyahu falenderoi Blinken dhe SHBA në anglisht dhe hebraisht, përpara se të krahasonte Hamasin me ISIS.

“Biden kishte të drejtë duke e quajtur atë të keqe të plotë”, thotë Netanyahu.

“Hamasi do të trajtohet ashtu siç ishte ISIS. Ata duhet të pështyhen nga bashkësia e kombeve.”

“Kjo është një kohë që ne duhet të qëndrojmë të fortë, të bashkuar kundër së keqes,” vazhdoi Netanyahu.

“Ne po mbajmë një qëndrim. Amerika po merr një qëndrim.”

Nga ana tjetër, Blinken tha se është mirënjohës që është kthyer në Izrael gjatë një momenti “tepër të vështirë” për të gjithë botën.

“Është e pamundur që unë të shikoj fotot e familjeve të vrarë… dhe të mos mendoj për fëmijët e mi”, thotë ai.

“Fëmijët e therur, trupat e përdhosur, të rinjtë e djegur të gjallë, gratë e dhunuara, prindërit e ekzekutuar në sy të fëmijëve, fëmijët në sy të prindërve. Si mund ta kuptojmë këtë?” pyet ai.

Blinken vlerësoi gjithashtu guximin e qytetarëve izraelitë.

Mesazhi që unë i sjell Izraelit është ky – ju mund të jeni mjaftueshëm të fortë për të mbrojtur veten tuaj, por për sa kohë që Amerika ekziston, nuk do t’ju duhet kurrë, kurrë.”

“Kushdo që dëshiron paqe dhe drejtësi duhet të dënojë sundimin e terrorit të Hamasit,” shton Blinken.

“Hamasi ka vetëm një agjendë, të shkatërrojë Izraelin dhe të vrasë hebrenjtë.”

Megjithatë, ai paralajmëron se duhen marrë masa paraprake për të shmangur dëmtimin e civilëve të çdo kombësie.

“Kjo është arsyeja pse është kaq e rëndësishme të merren të gjitha masat e mundshme për të shmangur dëmtimin e civilëve, dhe kjo është arsyeja pse ne vajtojmë për humbjen e çdo jete civile,” thotë Blinken, “civilë të çdo besimi, çdo kombësie janë vrarë.”/Albeu.com


Shtuar 12.10.2023 13:55