Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Serbi, Christopher Hill, ka deklaruar se është e rëndësishme të mos humbasin kohë për të zgjidhur tensionet në Kosovë pas festave të fundvitit. Hill tha se mendon se pas zgjidhjes së situatës në veri do të nisin përpjekjet për hapat e nevojshëm politik në procesin e dialogut, për të ecur përpara. Në një intervistë për tv Euronews serbia, ambasadori amerikan foli për krizën aktuale në Kosovë dhe heqjen e barrikadave në veri. Ndër të tjera ka shtuar se për këtë dialogu do të ketë përpjekje edhe nga vetë BE e SHBA.
“Ajo që duam të shohim është një mënyrë politike për të qetësuar gjithçka, për ta kthyer në një situatë normale. Këto janë sfida të mëdha dhe ndërkohë kemi një krizë. Problemi kur ke krizë është se është gjithnjë e më e vështirë. Mund të ndodhë që në fund të ndodhin ngjarje shumë të papritura dhe kjo zakonisht është e keqe për një krizë, kështu që unë jam shumë i shqetësuar. Do të varet nga aftësitë e ndërmjetësuesit, por edhe nga vetë aftësitë e negociatorëve, të cilët duhet të mendojnë se çfarë sjell kjo krizë. Pra, të mendojnë se duke u gjendur në krizë, a do të kenë investitorë. Zakonisht investitorët nuk janë të interesuar të shkojnë në shtete ku ka kriza të përhershme” tha Hill.
Ambasadori amerikan e sheh si sinjal pozitiv njoftimin e presidentit serb Aleksandër Vuçiç për heqjen e barrikadave në veri.
“Por ne po arrijmë në pikën ku ata që i vendosën tani duhet t’i heqin ato. Me njerëzit duhet të flitet dhe kjo është ajo që po ndodh. Ndiej se zgjidhja më e qëndrueshme dhe më e mirë që barrikadat të hiqen nga njerëzit që i kanë vendosur. Dhe kjo është ajo që përfundoi duke ndodhur. Kështu që unë mendoj se në këtë drejtim ne jemi shumë me fat që ata po hiqen”, tha Hill.
Presidenti serb Aleksandër Vuçiç ka dhënë sot konferencën e fundvitit ku u shpreh se kërkon që vitin e ardhëm të zbatohen garancitë e dhëna lidhur me situatën në veri të Kosovës, duke iu referuar kështu marrëveshjesn me SHBA-në dhe BE-në për të mos preceduar penalisht personat që vendosën barrikadat. Ai ka pretenduar se Prishtina po ndërton baza speciale, që sipas tij do të kërcënojë popullin serb, teksa ka kërkuar që ‘dhunuesit’ të largohen. Barrikadat në veri të Kosovës u hoqën pasi Dejan Pantiç iu zëvendësua masa e paraburgimit me arrest shtëpiak. Tensionet në veri të Kosovës nisën pikërisht nga ky emër, pasi Policia e Kosovës e arrestoi sepse dyshohej se ka kryer sulm ndaj zyrtarëve kosovarë. Pas arrestimit të tij, në shenjë revolte më 10 dhjetor, u vunë barrikadat nga serbët.