Ambasadorët amerikanë mirëpresin zbatimin e marrëveshjes për dokumentet

Ambasadorët amerikanë në Kosovë dhe Serbi, Jeffrey Hovenier dhe Christopher Hill, e kanë mirëpritur zbatimin e marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë për dokumentet për hyrje/dalje.

Kjo marrëveshje mes dy vendeve është arritur nën ndërmjetësim të Bashkimit Evropian më 27 gusht.

Sipas saj, Kosova dhe Serbia janë pajtuar për të hequr dokumentet shtesë, kur qytetarët të hyjnë në territorin e njëra-tjetrës.

Ambasadori Hovenier ka thënë se liria e lëvizjes është thelbësore për normalizim të marrëdhënieve, që ka në qendër njohjen reciproke.

“Mezi pres të shoh përparim në çështjet tjera në muajt vijues”, ka thënë ai përmes një postimi në Twitter.

 

Hill, u ka thënë gazetarëve në Beograd se është inkurajues përparimi i arritur mes Kosovës dhe Serbisë në 10 ditët e fundit.

“Shpresoj që marrëveshjet do të vazhdojnë të arrihen, siç është rasti me dokumentet personale, dhe që Kosova dhe Serbia të kenë një të ardhme shumë më të mirë”.

Kosova dhe Serbia kanë marrëveshje për lëvizje të lirë prej vitit 2011.

Serbia e ka zbatuar atë menjëherë dhe për 11 vjet u ka lëshuar qytetarëve të Kosovës këtë lloj dokumenti.

Kur Qeveria e Kosovës ka vendosur ta zbatojë këtë pikë të marrëveshjes më 1 gusht, serbët në veri të Kosovës kanë rritur tensionet përmes vendosjes së barrikadave.

Qeveria e Kosovës ka shtyrë më pas zbatimin e vendimit për 1 shtator, mirëpo ndërkohë palët janë marrë vesh për moslëshimin e tyre.

Mbështetja për Ballkanin e Hapur

Ambasadori Hill është deklaruar për çështjen e dokumenteve për hyrje/dalje, në një panair të organizuar në kuadër të iniciativës Ballkani i Hapur, që këtë herë po zhvillon takimet në Beograd.

“Është shumë mirë të shohësh kryeministrin e Shqipërisë, presidentin e Serbisë dhe kryeministrin e Maqedonisë së Veriut së bashku. Është shumë domethënëse. Jam shumë i inkurajuar nga ajo që shoh”, ka thënë Hill.

Nisma, Ballkani i Hapur është vazhdimësi e Mini-Shengenit ballkanik, prezantuar në Novi Sad të Serbisë më 10 tetor të vitit 2019, nga liderët e Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë.

Kosova, Bosnjë e Hercegovina dhe Mali i Zi nuk janë pjesë e saj.

Sipas ambasadorit amerikan, sa më shumë vende të marrin pjesë në këtë iniciativë rajonale, aq më mirë.

Hill po ashtu ka thënë se shpreson që edhe vendet tjera t’i bashkohen nismës në të ardhmen.

“Në fund të fundit, kjo është një mënyrë për të përcaktuar format e bashkëpunimit dhe për t’i përgatitur të gjitha këto vende që të jenë më të gatshme për anëtarësim në Bashkimin Evropian”, ka thënë mes tjerash ai.

Ballkani i Hapur është thënë se synon të mundësojë lëvizje të lirë të njerëzve, mallrave dhe shërbimeve në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Deri më tani janë nënshkruar disa marrëveshje që mëtojnë të lehtësojnë lëvizjen në mes të shteteve.

Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara kanë përkrahur këtë nismë, ndonëse kanë përsëritur se për të qenë e suksesshme, në të duhet të përfshihen të gjitha shtetet./rel


Shtuar 1.09.2022 17:08