Altin Dumani jep “dorëheqjen” e parakohshme: S’do rikandidoj! SPAK-un e pret kaosi në 2028-ën

Kreu i SPAK, Altin Dumani, gjatë fjalës së tij në Komisionin e Ligjeve në Kuvendin e Shqipërisë, ka deklaruar me shqetësim se në vitin 2028 do të krijohet një vakum shumë i madh pasi i mbaron mandati 11 prokurorëve të posaçëm.

Altin Dumani theksoi se në përfundim të mandatit 9-vjeçar nuk do të rikandidojë ndërsa shtoi se SHBA dhe BE kanë investuar shumë në trupën e prokurorëve që të rriten profesionalisht.

Altin Dumani u shpreh se nuk kanë deklaruar në asnjë moment që do ketë rinovim automatik të mandatit, por dhënie të drejte për të rikandiduar.

Sakaq, Dumani u shpreh se trupa e prokurorëve e specializuar dhe investuar për vite të tëra duke hetuar dosje të rëndësishme, tashmë ka fituar edhe imunitetin e nevojshëm karshi politikës, krimit të organizuar apo biznesit.

“Ju siguroj që në përfundim të mandatit 9-vjeçar nuk do rikandidoj për prokuror, e kam bërë këtë marrëveshje me veten që kur aplikova për të qenë prokuror i posaçëm. Imagjinoni në vitit 2028, të paktën 11 prokurorëve të posaçëm iu mbaron mandati brenda një viti. Vakumi që krijohet në atë institucion është shumë i madh. 11 prokurorë në një vit është e pamundur t’i zëvendësosh. Ata kanë çështje që i ndjekin me vite. Cënohen hetimet në këtë drejtim.

Shteti shqiptar, BE dhe SHBA kanë investuar në këtë trupë prokurorësh për tu rritur profesionalisht, për të krijuar imunitetin e nevojshëm karshi politikës, biznesit, krimit të organizuar. Pra një ditë të bukur, i thuhet të mbaroi mandati. Nuk e kemi luksin që një prokuror i specializuar të çohet në një prokurori tjetër. Vlerësoj se duhet parë dhe jam shprehur qartë.

Unë përcjell çfarë prokurorët e posaçëm më përcjellin mua. Nuk kemi thënë rinovim automatik të mandatit, por dhënie të drejtë për të rikandiduar. Çdo prokuror i posaçëm pas mandatit 9 vjeçar, ka nevojë të rivlerësohet.”-tha Dumani.


Shtuar 14.10.2025 18:44

Tags: ,