Aktualisht, paga minimale në Kosovë është 130 euro për të punësuarit e moshës nën 35 vjeç, dhe 170 euro për të punësuarit e moshës mbi 35 vjeç, pagë kjo e cila nuk ka pësuar ndryshime që nga viti 2011.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se do të fillojnë procedurat për rritjen e pagës minimale. Ai ka treguar se si synon të arrijë deri në përmbushjen e këtij zotimi të cilën e ka përmendur me vite të tëra sa ishte në opozitë, por që nuk e përmendi edhe aq shumë në 11 muaj qeverisje.
Kurti ka thënë se puna për rritjen e pagës minimale vetëm sa ka filluar dhe se do të sigurohet pragu i të ardhurave për punëtorët që të kenë një pagë dinjitoze.
“Filloi puna drejt rritjes së pagës minimale, drejt përmbushjes së një tjetër zotimi. Për vite të tëra, punëtorët e sektorit privat janë lënë anash. Me qeverisjen tonë, kjo ndryshon. Atyre do t’ua sigurojmë pragun e të ardhurave që u mundëson një jetë dinjitoze. Ende pa i mbushur një vit në qeverisje, kemi filluar ndërmarrjen e hapave të nevojshëm drejt rritjes së pagës minimale”.
Kryeministri ka thënë se hapi i parë në arritjen e këtij qëllimi është rregullimi i kornizës ligjore dhe tutje ka shtuar se Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve vetëm se ka përgatitur projektligjin i cili së shpejti do të dalë në konsultime publike.
“Si hap i parë është rregullimi i kornizës ligjore, në mënyrë që të evitohen të gjitha pasiguritë ligjore ekzistuese në lidhje me rritjen e pagës minimale. Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve veçse ka përgatitur projektligjin i cili shpejt do të dalë në konsultime publike. Krahas kësaj, në koordinim me Këshillin Ekonomiko-Social, së shpejti do të propozohet edhe niveli i pagës minimale. Propozimi pastaj miratohet në Qeveri dhe kësisoj përmbyllet procesi”.
Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) propozon që paga minimale të rritet në jo më pak se 300 euro.
BSPK-ja është pjesë e Këshillit Ekonomiko-Social të Kosovës, i cili funksionon si organ i pavarur dhe përbëhet prej anëtarëve që përfaqësojnë interesat e të punësuarve, të punëdhënësve dhe të Qeverisë.
Me Ligjin e Punës në Kosovë, ky këshill propozon vlerën e pagës minimale në fund të çdo viti kalendarik, e cila më pas kalon për miratim te Qeveria.
Vlera e pagës minimale në Kosovë nuk ka ndryshuar qysh në vitin 2011.
Këshilli Ekonomiko-Social ka propozuar në vitin 2018 që paga minimale të jetë 250 euro, por propozimi nuk ka shkuar tutje.
Në bazë të Nenit 86 të Ligjit të Punës, faktori kryesor që duhet të merret parasysh gjatë përcaktimit të pagës minimale, është kostoja minimale e shpenzimeve jetësore.
Të dhënat e fundit të Bankës Botërore për varfërinë në Kosovë janë të vitit 2017 dhe, sipas tyre, mbi 23 për qind e qytetarëve të Kosovës jetojnë në varfëri.
Kosova nuk ka të dhëna të sakta se sa është numri i të punësuarve që marrin pagë minimale, por besohet se ajo u takon më së shumti të punësuarve në sektorin privat. Sektori privat në Kosovë llogaritet si punëdhënësi më i madh: me mbi 220 mijë punëtorë.
Sipas Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, në pagën minimale përfshihen punëtorët në sektorin e pastrimit, shërbyesit shtëpiakë, punëtorët e sigurimeve private e të tjerë. Paga mesatare bruto në Kosovë është rreth 460 euro. Në sektorin publik, paga mesatare bruto është rreth 620 euro, ndërsa në sektorin privat rreth 380 euro./Monitor