Akuzat ndaj Ramës për mbylljen e biznesit, Ministria e Brendshme për Shehajn: Ushtronte aktivitetin në 560 m2 pa leje

Ministria e Brendshme ka reaguar pas akuzave të deputetit demokrat, Agron Shehaj, i cili gjatë fjalës tij në Kuvend pasditen e sotme bëri me dije se policia i ka mbyllur biznesin dhe ka sekuestruar ambientet ku operonte ky biznes, pa asnjë leje apo urdhër nga prokuroria.

Ai e quajti të gjithën një akt hakmarrjeje dhe përpjekje për t’i mbyllur gojën. Sipas Shehajt, vendimi erdhi pas akuzave që deputeti demokrat ka bërë në sallën e Kuvendit.

Në reagimin e saj, Ministria bën me dije se Shehaj është përpjekur të sulmojë institucionet ligjzbatuese dhe të ‘mbrojë’, paligjshmërinë e tij, ndërsa thekson se objekti i biznesit të Shehajt ka 55% shtesë kati se thënë ndryshe 560 m2 pa leje.

Reagim i Ministrisë së Brendshme

Me një sqarim të detyruar, por jo të dëshiruar, Ministria e Brendshme u përgjigjet akuzave të deputetit Agron Shehaj, që vijnë nga salla ku presupozohet se ai ka shkuar për të diskutuar e marrë vendime të rëndësishme për ata që e kanë votuar. Ai sot është përpjekur të sulmojë institucionet ligjzbatuese dhe të ‘mbrojë’, paligjshmërinë e tij.

Fotoja që publikoi deputeti Shehaj është dëshmi e saktë, e punonjësve të Policisë së Shtetit dhe IKMT në krye të detyrës, për bllokimin e një ndërtese subjekt i ligjit për penalizimin e ndërtimeve pa leje me qëllim fitimi.

Eshtë pikërisht ky objekt me mbi 55% shtesë kati, ose thënë ndryshe 560 m2 pa leje, ku kompania e deputetit Shehaj ka vendosur aktivitetin.

E megjithë paligjshmërinë në flagrancë, nga shkelësi artikulohet me lehtësinë më të madhe, akuza për mbyllje biznesi të ndershëm.


Shtuar 20.10.2022 21:29