“Akti për votimin me dokumente të skaduara, me shumë vonesë”, Berisha: Do të kërkojmë zyrtarisht në KQZ shtyrjen e afatit për diasporën, ankimim në GJK për…

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka shprehur shqetësimin e tij lidhur me votën e diasporës gjatë një konference për gazetarët nga selia blu. Ai u shpreh se miratimi i një akti nga parlamenti që jep mundësinë shqiptarëve jashtë vendit të votojnë me dokumente të skaduara, ka ardhur vetëm pesë ditë para përfundimit të regjistrimit.

“U bëj thirrje të gjithë shqiptarëve jashtë vendit që të kontribuojnë në rritjen e numrit të votuesve për datën 11 maj, për të ndihmuar në përmbysjen e narkoshtetit të vetëm në Evropë, të Edi Ramës,” tha Berisha.

Ai kërkoi gjithashtu që KQZ të shtyjë afatin e regjistrimeve, duke e konsideruar aktin e miratuar shumë të vonuar.

“Do të dërgojmë çështjen në Gjykatën Kushtetuese për të siguruar që shqiptarët, kudo që ndodhen, të kenë të drejtat e tyre të plota dhe të barabarta,” theksoi ai.

Berisha akuzoi qeverinë për diskriminim të shqiptarëve, duke shtuar se kjo nuk është më shumë se frikë nga vota e tyre. “Do të bëjmë gjithçka që shqiptarët të konsiderohen të barabartë para ligjit,” përfundoi ai.


Shtuar 28.02.2025 12:28

Tags: ,