Detaje të reja dalin nga mega operacioni i SPAK, i cili nisi mëngjesin e kësaj të premteje në disa qytete të Shqipërisë.
Më herët u raportua se SPAK ka lëshuar rreth 50 urdhër arreste për persona të njohur të botës së krimit.
SPAK ka lëshuar urdhër arrest edhe për Plaurent Devishajn dhe Endrit Doklen
Kush është Plaurent Dervishaj
Plaurent Dervishaj është anëtari i bandës së Durrësit. Ai është në kërkim për vrasjen e Vajdin Lames. Dervishaj është kunati i Lulzim Berishës dhe një prej personazheve kryesore të Bandës së Durrësit. Dervishaj u arrestua në Dubai, por u la i lirë, pas rrëfimit të dëshmitarit të drejtësisë Luftar Reçit, i cili ka treguar dinamikën e vrasjes së Klodian Saliut.
Në këtë vrasje, Reçi ka treguar se e ka kryer së bashku me Indrit Taullaun dhe Plaurent Dervishajn. Ndërsa sipas Luftar Reçit, Lulzim Berisha ishte njeriu që i kishte propozuar vrasjen e ish-mikut të tij Saliu, në këmbim të vrasjes së hasmëve të Luftar Reçit.
Kush është Endrit Dokle
Endrit Dokle, anëtar i “Bandës së Durrësit”, ishte akuzuar së bashku me 16 persona të tjerë, si pjesë e bandës famëkeqe, ku disa prej tyre janë dënuar për vrasje, plagosje, atentate, rrëmbime, trafik droge e qenie njerëzore. Ai ka drejtuar një prej fraksioneve të bandës dhe me Lulzim Berishën, njeriun që sipas Prokurorisë e krijoi atë, pati një armiqësi të hapur për vite me radhë, madje tentoi edhe ekzekutimin e tij. E ashtuquajtura “banda kriminale”, me drejtues të përbashkët Lulzim Berishën dhe Klodian Saliun, funksiononte prej vitit 1994 në qytetin e Durrësit.