Mëngjesin e kësaj të mërkure rreth orës 08:30, një aksident i rëndë ndodhi në aksin rrugor Pogradec-Qafë Thanë, ku një person humbi jetën dhe dy të tjerë u plagosën rëndë.
Viktima e këtij aksidenti, është shtetasi Martin Kastrioti 33-vjeç, i cili udhëtonte me një automjet tip “Volkswagen” në momentin e përplasjes.
Sipas informacioneve të policisë, aksidenti ndodhi në afërsi të fshatit Pojskë, ku dy mjete u përplasën “kokë më kokë”.
Njëri prej automjeteve ka kryer një manovër të gabuar, duke shkaktuar përplasjen me mjetin tjetër që po udhëtonte në drejtim të kundërt. Goditja ka qenë aq e fortë sa automjeti i viktimës është shkatërruar pothuajse plotësisht.
Përveç viktimës, dy persona të tjerë, shtetasi V. P. dhe bashkëshortja e tij, kanë mbetur të plagosur dhe janë dërguar në spital për trajtim mjekësor.
“Rreth orës 08:30, në aksin rrugor “Pogradec-Qafë Thanë”, ne afërsi të fshatit Pojskë, automjeti tip “Volswagen” me drejtues shtetasin M. K., është përplasur me automjetin tip “Peugeot” me drejtues shtetasin V. P.
Si pasojë e përplasjes ka ndëruar jetë shtetasi M. K., dhe kanë ngelur të dëmtuar shtetasi V. P., dhe bashkëshortja e tij pasagjer në automjet”,– njoftoi policia.
Grupi hetimor ndodhet në venngjarje për të zbardhur shkaqet e aksidentit.