Në kuadër të masave për parandalimin e aksidenteve rrugore dhe në zbatim të detyrave të lëna mbrëmjen e djeshme, nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Gledis Nano, për zhvillimin në mënyrë permanente dhe jo me fushata, të kontrolleve intensive, duke përdorur të gjtha format ligjore dhe mjetet logjistike bashkëkohore, prej mbrëmjes së djeshme, në të gjithë vendin, shërbimet e Policisë Rrugore, të mbështetura nga Patrullat e Përgjithshme dhe forcat “Shqiponja”, kanë vijuar kontrollet për evidentimin dhe ndëshkimin e shkelësve të Kodit Rrugor.
Si rezultat i kontrolleve në të gjithë vendin janë pezulluar 79 leje drejtimi, nga të cilat 39 për shpejtësi (të matura me radarët automatikë), 29 për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur dhe 11 për qarkullim në sens të kundërt.
Janë arrestuar në flagrancë 16 drejtues mjetesh, nga të cilët 10 për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe 6 për drejtim mjeti pa leje drejtimi.
Gjatë mbrëmjes së djeshme dhe orëve të para të mëngjesit të sotëm janë vendosur 2874 masa administrative, për shkelje që janë burim potencial për përfshirje në aksidente rrugore, konkretisht për mosvendosje të rripit të sigurimit, për përdorim të celularit gjatë drejtimit të mjetit, për parakalime të gabuara, për mosdhënie përparësie këmbësorëve, për gara shpejtësie e manovra të rrezikshme, për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit e shpejtësi tej normave të lejuara dhe për mosvendosje të kaskës mbrojtëse nga drejtuesit e motomjeteve.
Kontrollet intensive, duke vënë në përdorim të gjitha mjetet logjistike bashkëkohore, do të vijojnë jo me aksione, por si punë e përditshme, me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore.
Policia e Shtetit apelon për të gjithë përdoruesit e rrugës që të zbatojnë me rigorozitet rregullat e qarkullimit rrugor dhe fton qytetarët që të denoncojnë në Komisariatin Dixhital dhe në numrin 112, çdo rast të shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor.
Bashkë arrijmë parametra optimalë të sigurisë rrugore dhe krijojmë një ambient më të sigurt!
https://www.facebook.com/policiashtetitshqiptar/videos/419233870030042