Aksidenti ku u përfshi autobusi i “Green Line”, reagon Bashkia: Fatmirësisht nuk pati pasoja në jetë njerëzish

Bashkia e Tiranës ka reaguar për aksidentin e shumëfishtë që ndodhi ditën e sotme, ku u përfshi një nga autobusët e linjës së Unazës “Green Line”.

Bashkia thotë se po bashkëpunon me institucionet përkatëse për zbardhjen e rrethanave të aksidentit dhe se ka vendosur në dispozicion pamjet filmike nga kamerat e Policisë Bashkiake.

Reagimi:

Bashkia e Tiranës i uron shërim të shpejtë të gjithë qytetarëve që u lënduan sot në aksidentin e ndodhur pranë Urës së Shallvareve. Po bashkëpunojmë me institucionet përkatëse deri në zbardhjen e plotë të shkaqeve dhe rrethanave, që çuan në këtë ngjarje!

Të gjitha filmimet e kamerave të Policisë Bashkiake janë vendosur në dispozicion të Policisë Rrugore të Tiranës, teksa jemi informuar që të gjithë drejtuesit e mjeteve të përfshira janë testuar dhe intervistuar nga kolegët e policisë, për të çuar në hetimin e plotë të aksidentit, që fatmirësisht nuk pati pasoja në jetë njerëzish.

Mesditën e sotme një autobus i transportit public u përplas me 9 makina të tjera në zonën e “Shallvareve” në kryeqytet. Si pasojë u plagosën 9 persona, disa prej të cilëve u dërguan në spital. /albeu.com

 


Shtuar 27.02.2023 16:14