Aksident tragjik në Gramsh/ Kamioni del nga rruga dhe bie në humnerë, humb jetën një grua

Këtë të hënë, një aksident i rëndë rrugor është regjistruar në aksin Kabash-Porocan të Bashkisë Gramsh, pranë fshatit Bardhaj.

Sipas informacioneve paraprake, një mjet tip kamion ka dalë nga rruga dhe ka rënë në humnerë, duke shkaktuar pasoja fatale.

Mësohet se në mjet udhëtonin tre persona, pjesë e personelit të shërbimit në fshatra: një mësuese, një infermiere dhe drejtuesi i mjetit.

Si pasojë e aksidentit, drejtuesi i automjetit Shaban Kotorri, dhe mësuesja Albana Boja, janë plagosur, ndërsa infermierja 43-vjeçare Dëshira Hoxha, ka mbetur viktimë.

Forcat e policisë dhe shërbimet e emergjencës kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje, duke kryer veprimet e nevojshme dhe duke nisur hetimet për zbardhjen e shkaqeve të aksidentit.

Paraprakisht, dyshohet se rruga e vështirë dhe kushtet e terrenit mund të kenë ndikuar në humbjen e kontrollit të mjetit.


Shtuar 26.01.2026 14:28