Aksident i rëndë në Berat/ Plagosen tre të mitur, dy prej tyre transportohen drejt Spitalit të Traumës

Një aksident i rëndë rrugor ka ndodhur mbrëmjen e kaluar në Berat, në rrethrrotullimin në dalje të qytetit, përgjatë aksit të By-Pass-it. Tre të mitur, të moshës 16 vjeç, janë përfshirë në aksident, teksa dyshohet se po zhvillonin gara me motorë elektrikë.

Sipas informacioneve paraprake, të rinjtë kanë humbur kontrollin e mjeteve teksa po kalonin rrethrrotullimin, duke u përplasur me njëri-tjetrin. Si pasojë e përplasjes, dy prej 16-vjeçarëve kanë pësuar dëmtime të rënda në kokë.

Të lidhura

None found

Ata janë transportuar me urgjencë drejt Spitalit të Traumës në Tiranë, ku ndodhen në gjendje të rëndë shëndetësore. Ndërkohë, i mituri i tretë është dërguar në Spitalin Rajonal të Beratit, ku po merr trajtim mjekësor.

Ai ka pësuar fraktura të shumta, por fatmirësisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Ndërkohë, në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë Rrugore, të cilat kanë kryer veprimet e para hetimore për të zbardhur rrethanat dhe shkaqet e aksidentit.


Shtuar më 13.10.2026 08:50