Aksident i rëndë në Berat/ I riu përplas 30-vjeçaren dhe fëmijën 2 vjeç, ndërron jetë nëna

Një aksident i rëndë ka ndodhur mbrëmjen e sotme në aksin rrugor Berat-Dimal. Mësohet se një 25-vjeçar ka përplasur për vdekje një 30-vjeçare, e cila ka qenë duke kaluar rrugën me fëmijën e saj të mitur. Si pasojë e përplasjes e reja ka ndërruar jetë në vendngjarje, ndërsa fëmija ka shpëtuar. Gjithashtu 25-vjeçari është shoqëruar në komisariat.

Njoftimi i Policisë:

Rreth orës 18:35, në aksin rrugor “Berat-Dimal”, në Moravë, shtetasi A. T., 25 vjeç, duke drejtuar automjetin e tij ka aksidentuar shtetasen L. Gj., 30 vjeçe dhe fëmijën e saj 2 vjeç, (këmbësorë). Shtetasja L. Gj., si pasojë e plagëve të marra ka ndërruar jetë, ndërsa fëmija i saj nuk ka probleme për jetën. Drejtuesi i automjetit ndodhet i shoqëruar në ambientet e Policisë për veprime të mëtejshme procedurale. Grupi hetimor ndodhet në vendin e ngjarjes dhe vazhdon veprimet hetimore për zbardhjen e shkaqeve të aksidentit.


Shtuar 17.01.2025 19:54