Ai dërgoi Serbia armë? Reagon ambasada ukrainase në Beograd: Nuk kemi informacion

Ambasada e Ukrainës në Serbi njoftoi në një përgjigje me shkrim për Zërin e Amerikës se nuk ka informacion se Beogradi synon të dërgojë armë në Ukrainë, ose tashmë e ka bërë këtë.

Këtë e ka publikuar ekskluzivisht agjencia Reuters, duke iu referuar dokumenteve konfidenciale të inteligjencës amerikane, të cilat së fundmi kanë dalë në publik.

Në njërën prej tyre, të shënuar “sekret”, thuhet se Serbia ka refuzuar të ofrojë mbështetje në stërvitjen e trupave ukrainase, por ka pranuar të dërgojë armë në Ukrainë ose e kishte bërë tashmë.

Ambasada e Ukrainës njoftoi se nuk ka informacion për dërgimin e armëve nga Serbia dhe se “udhëhiqet nga deklaratat e zyrtarëve serbë”.

“Kështu, ministri i Mbrojtjes i Republikës së Serbisë, Millosh Vuçeviq, ka mohuar kategorikisht dhe në mënyrë të përsëritur informacionin për dërgimin e armëve në Ukrainë, duke theksuar se Serbia nuk i dërgon armë Ukrainës, Rusisë, apo ndonjë pale tjetër të përfshirë në luftën në Ukrainë. Deklarata të ngjashme më parë janë ndarë në emër të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili gjithashtu ka mohuar mundësinë e një kontrate si me agresorin, ashtu edhe me Ukrainën, e cila po mbron vendin, lirinë, pavarësinë, fatkeqësisht nga pushtuesi rus, ambiciet perandorake të të cilit janë kërcënim për të gjitha vendet e Evropës”, thuhet në përgjigjen e ambasadave të Ukrainës për Zërin e Amerikës.

Ministrat e Mbrojtjes dhe të Punëve të Jashtme të Serbisë i kanë mohuar lajmet e Reuters.

“Ne i kemi mohuar këto gënjeshtra më shumë se dhjetë herë, dhe ja ku jemi, do ta bëjmë përsëri. Qëllimi i dikujt është padyshim që ta tërheq Serbinë në atë konflikt, por ne i qëndrojmë vazhdimisht politikës sonë të vendosur”, tha Ministria e Mbrojtjes në një deklaratë.

Informacioni se armët serbe ishin dërguar ose do të dërgoheshin në Ukrainë u shfaq një muaj pasi mediat njoftuan se raketat e prodhuesit serb Krušik shiheshin në duart e ushtrisë ukrainase. /albeu.com


Shtuar 13.04.2023 08:57