Elseid Hysaj mund të përfundojë te Lazio sezonin e ardhshëm, klub ku do të bashkohej me një tjetër futbollist të Kombëtares Shqiptare, Thomas Strakoshën, dhe me sulmuesin “dardan”, Vedat Muriqi. Sipas “Gazzetta dello Sport”, drejtori sportiv i Lazios, Igli Tare, por përgatit ofertën për mbrojtësin shkodran, të cilit i përfundon kontrata sapo të mbyllet sezoni.
Për të ardhmen e 27-vjeçarit foli edhe manaxheri i tij, Mario Giuffredi, i cili iu referua fjalëve të trajnerit të kuqezinjve, Edy Reja, për të treguar se klienti i tij po tregon profesionalizëm të lartë gjatë muajve të mbetur te Napoli.
“Kam lexuar që Reja tha se Hysaj po kalon një moment plot shkëlqim dhe unë jam dakord me të. Është shumë i qetë, pavarësisht skadimit të kontratës, sepse ka besimin e Gattusos. Po shprehet në nivelet që tregoi kur Sarri ishte trajner i Napolit. Hysaj po tregon se, edhe pa rinovimin e kontratës, nuk nxjerr probleme, ai bën punën e tij. Është paguar dhe i është mirënjohës ndaj klubit. Por pas kaq shumë vitesh dhe kaq shumë momentesh në të cilat u takuam për kontratën, pa gjetur një marrëveshje, është e drejtë që të ndryshojë ambient dhe të kërkojë përvoja të reja,” – deklaroi Giuffredi për “Radio Kiss Kiss”.