Gjykata e Tiranës, ka caktuar masa sigurie për 4 zyrtarë policie në Tiranë, Haxhi Balla, Eni Tila (Xhaferi), Jaho Caushaj dhe Islam Shehi, të cilat janë ezekutuar nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore.
Efektivët e Policisë akuzohen për “Shkelja e barazisë në tendera dhe ankande publike” në bashkëpunim dhe “Falsifikim i vulave, stampave e formularëve”.
Masat e sigurisë të vendosura ndaj efektivëve janë “Detyrim paraqitje”, “Pezullim nga puna” apo bllokim pasaporte, më konkretisht:
Masa e sigurimit personal “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” ndaj personit nën hetim Haxhi Balla, me detyrë ish Shef i Sektorit Ekonomik në Tiranë, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shkelja e barazisë në tendera dhe ankande publike” në bashkëpunim dhe “Falsifikim i vulave, stampave e formularëve”.
Masat e sigurimit personal “Pezullim i ushtrimit të detyrës” dhe “Ndalim i daljes jashtë shtetit” ndaj personit nën hetim Eni Tila (Xhaferi), me detyrë Shef i Sektorit të Kontabilitetit në Tiranë, e dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shkelja e barazisë në tendera dhe ankande publike” në bashkëpunim.
Masat e sigurimit personal “Pezullim i ushtrimit të detyrës” dhe “Ndalim i daljes jashtë shtetit” ndaj personit nën hetim Jaho Caushaj, me detyrë Specialist i Sektorit Ekonomik në Tiranë, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shkelja e barazisë në tendera dhe ankande publike” në bashkëpunim dhe “Falsifikim i vulave, stampave e formularëve”.
Masa e sigurimit personal “Ndalim i daljes jashtë shtetit” ndaj personit nën hetim Islam Shehi, me detyrë në Sektorin Ekonomik në Tiranë, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shkelja e barazisë në tendera dhe ankande publike”.
Ende nuk dihet se për cilin tender bëhet fjalë, teksa veprimet proceduriale i janë relatuar prokurorit të çështjes.