A rrezikon Shqipëria krizë gruri?!

Ministria e Bujqësisë parashikon që nga sezoni i ri i korrjeve të përfitohen 225 mijë tonë grurë, e njëjtë me kuotën e vitit të kaluar që mbulon 50% të nevojës së popullatës, kryesisht të zonave rurale. Fabrikat e blojës nuk kryejnë furnizime nga tregu vendas, pasi mungon cilësia e grurit dhe fermerët nuk janë në gjendje t’u garantojnë sasi. Importuesit presin që çmimet e grurit në tregjet e huaja të arrijnë mbi 490 USD/tonë, për shkak të thatësirës dhe bllokimit të eksporteve të Rusisë. Vështirësi do të ketë edhe në furnizime.

Josif Silo, fermeri 60-vjeçar nga fshati Potgozhan i zonës së Mokrës së Poshtme, këtë vit ka mbjellë 5 dynymë grurë. Josifi pohon se prodhimi duket i mirë dhe parashikon të përfitojë 3 kv grurë.

Nga bluarja e grurit pret që 70% të sasisë ta përfitojë miell për konsum të bukës të përditshme, kurse himet e mbetura iu hidhen kafshëve. Ai thotë se e ka të pamundur të mbjellë më shumë toka me grurë, pasi kostot janë shtuar nga dyfishimi i çmimeve të nitratit, uresë dhe karburantit, ndërsa në fshat mungon fuqia punëtore.

“Reshjet e shiut që ranë në muajin qershor ndihmuan të mbjellat e grurit. Nëse moti deri në korrik, kur do të nisë sezoni i korrjes, do të jetë i qëndrueshëm, prodhimi pritet i mirë.

Krahasuar me vjet rendimenti do të jetë më i ulët. Grurit i nevojiten domosdoshmërisht t’i hedhësh dy herë nitrat dhe ure. E kam përdorur vetëm një herë nitratin, pasi e kishim të pamundur të përballonim çmimin e lartë. Vjet, çmimi i nitratit ishte 2,000 – 5,000 lekë/kv, këtë vit arriti 10,000 lekë. Shqetësim është edhe mungesa e fuqisë punëtore. Në fshat nuk gjen më të rinj të punojnë tokën.

Janë larguar të gjithë në emigracion ose jetojnë në qytet. Për këto arsye, ne e kemi të pamundur të zgjerojmë prodhimin. Prej vitesh, që kur djemtë janë larguar për të jetuar në Tiranë, mbjellim grurë vetëm për konsumimin e familjes. Nuk arrijmë të përballojmë më tepër të mbjella”.

Sipas Ministrisë së Bujqësisë, në vitin 2021, sipërfaqja e kultivuar me grurë në vendin tonë është 54,514 hektarë, me një prodhim prej 225,171 tonë. Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural tha për “Monitor” se sasia e prodhuar e grurit mbulon me rreth 50% kërkesën e vendit. Problematikat e hasura ndër vite, si parcelizimi i tokës dhe veçanërisht çmimi i ulët i grurit kanë penguar zhvillimin e ekonomisë së shkallës në mbjelljen e kulturës bujqësore.

“Problematika kryesore është çmimi i ulët i grurit. Duke qenë se mbillen sipërfaqe të vogla nga fermerët, kostoja e mbjelljes së grurit shkon shumë e lartë. Për këtë vit, kemi një avantazh, pasi janë rritur fermat e mëdha, të cilat kanë fermerë me njësi të mekanizuar, të cilat kanë rritur sipërfaqet e mbjella së grurit nga 10-100 hektarë. Për vitin 2022, nga kontaktet e deritanishme me fermerët, rezulton se të korrat do të jenë të mbara, rendimenti do të jetë më i lartë, mendojmë se do të ruajmë të njëjtat kuota”.

Parcelizimi i tokës bujqësore, mungesa e kanaleve ujitëse dhe kostot e larta të prodhimit, edhe për importuesit konsiderohen faktorët kryesorë për prodhim të ulët të drithërave në Shqipëri. Sipas tyre, fermerët shqiptarë prodhojnë sasi gruri vetën për të plotësuar nevojat e tyre, ndërsa fabrikat e blojës nuk furnizohen me grurin vendas.

“Këtë vit, për shkak të temperaturave të larta dhe shtrenjtimit të inputeve bujqësore, parashikohet që edhe të korrat vendase të jenë me rënie. Pavarësisht sasisë së grurit që mbillet në vend, prodhimi është i rëndësishëm, pasi përdoret për nevojat e vetë fermerëve dhe të banorëve të zonave rurale.

Fabrikat e blojës nuk furnizohen me grurë vendas, pasi nuk ka sasi dhe cilësi të mirë prodhimi”, theksoi për “Monitor”, z. Adi Haxhiymeri, administratori i kompanisë së miellit “Primo”.

Kryetari i Sindikatës së Fermerëve, Eduart Sharka, nënvizon se vlerësimet kanë gjetur se vetëm 50% e tokës bujqësore përdoret si tokë e punueshme ose 603,000 hektarë, nga të cilat 413,000 ha janë zona të mbjella dhe pjesa tjetër, përgjithësisht është e lirë.

“Sipërfaqja e përgjithshme e tokës në Shqipëri është 2,875,000 ha, nga të cilat 699,000 ha, ose 24%, janë tokë bujqësore (duke përjashtuar kullotat), 36% pyje, 16% kullota të përhershme dhe 24% të tjera. Rreth 43,3% e tokës bujqësore ndodhet në zonat fushore, 34% në zonë kodrinore, 22,7% në rajonet malore. Toka bujqësore e vendosur mbi 300 metra mbi nivelin e detit është shumë e copëzuar, me mungesë aksesi në ujitje dhe nën kërcënimin e përhershëm të erozionit.

Madhësia e fermave është jashtëzakonisht e vogël, me rreth 1-1.5 hektarë tokë bujqësore. Në kontekstin e krizave të pandemisë dhe luftës që po kalojmë dhe në kuadrin e një krize të mundshme ushqimi që po troket, është e nevojshme që Shqipëria të mendojë për të rritur kultivimin e drithërave për të plotësuar të paktën 50% të nevojave për drithë.

Duke ditur që konsumi është ulur për shkak të ndryshimit të mënyrës së jetesës dhe zvogëlimit të popullsisë, është plotësisht e mundur. Në fushën e Korçës dhe atë të Tërbufit, ka sipërfaqe dhe mundësi për të bërë disa ferma optimale dhe konkurruese. Duhen subvencionuar disa sipërmarrës për blerje toke dhe mekanike bujqësore bashkëkohore.

Ka edhe mundësi të prodhimit ekstensiv, por duhen subvencionuar fermerët e vegjël për njësi prodhimi. Është emergjencë dhe domosdoshmëri që të investohet në këto kultura bujqësore. Sivjet, parashikohet që gruri vendas të mblidhet me 50 lekë/kg. Çmimi është pothuajse nën kosto. Po të llogarisësh çmimet në bursë, mendoj se ia vlen të investohet në këtë fushë.

Është e domosdoshme të përcaktohen kuota për grumbulluesit që të marrin nga prodhimi vendas, sepse garanton sigurinë ushqimore që në kontekstin e krizës globale, përkthehet në siguri kombëtare”, nënvizon ai.

Strategjia e Bujqësisë për të ndihmuar prodhimin vendas

Pas muajit korrik, në tregjet e huaja pritet të ketë shtrenjtim tjetër të grurit, përtej vlerës prej 490 USD/ton që po blihet aktualisht nga importuesit. 2022-shi do të jetë viti i dytë radhazi ku prodhimi botëror i grurit do të hyjë drejt rënies së lartë.

Tkurrja e prodhimit do të shkaktohet nga kufizimet e eksporteve nga lufta Rusi-Ukrainë dhe temperaturat ekstreme të të nxehtit që po dëmtojnë të korrat. Për këtë arsye, shtetet në mbarë botën janë rreshtuar në radhë për blerjen e grurit të ri.

Ministria e Bujqësisë thotë se për vitin e ardhshëm do të zhvillojë strategji të reja, krahas naftës falas dhe mbështetjes nga skemat, të cilat do t’u vijnë më shumë në ndihmë fermerëve.

“Situata e grurit në botë tashmë është e njohur. Ne u kemi ardhur në ndihmë fermerëve, duke u rimbursuar naftën. Mbi 200,000 fermerë kanë përfituar naftën falas për vitin 2022. Mbështetje gjithashtu kanë marrë nga skemat e IPARD me mekanikët bujqësorë, duke përfituar 50-55% grant për mekanizmat bujqësore.

Të gjitha kompanitë që importojnë grurë kanë lidhur kontratat me kompanitë dhe vazhdojnë normalisht furnizimin. Sipërfaqja e mbjellë me misër është rreth 58,000 ha, dhe në krahasim me vitet e tjera është rritur me rreth 5%. Sasia totale e prodhuar në vend është 400,000 tonë, ndërsa importojmë rreth 100,000 tonë. Edhe për misrin, situata duket e mbarë, nga kontaktet me fermerët”, nënvizon Ministria e Bujqësisë.

Situata me importet po vështirësohet, priten kufizime

Rusia, një nga furnizuesit kryesorë me drithëra në botë, konsiderohet faktor i rëndësishëm në zinxhirin furnizues të grurit dhe miellit edhe për tregun shqiptar.

Për shkak të luftës dhe sanksioneve të vendosura ndaj Rusisë për 4-mujorin e 2022 është rritur pesha e importit të drithërave që vijnë nga Serbia, duke zënë 47% të tyre. Drithërat e importuara nga Rusia zënë 25% të totalit të importeve të 4-mujorit, duke shënuar rënie krahasuar me vjet dhe 28% zënë vendet e tjera.

Në vitin 2021, sipas të dhënave të INSTAT, pesha e importeve nga Rusia dhe Serbia zë 84% të totalit të të hyrave me drithëra (secila 42%). Në total, në Shqipëri, në vitin 2021 u importuan rreth 326 mijë tonë drithëra. Importet krahasuar me vitin 2020 ishin 12% më pak. Në 2020-n, importet shënuan rritje për shkak të rezervave të krijuara nga grosistët, të ndikuar nga karantina 3-mujore dhe kufizimet e ekonomisë që zbatuan shumë shtete për shkak të pandemisë.

Grosistët thonë se aktualisht nuk po përballen me probleme me importet e grurit. Adi Haxhiymeri, administratori i kompanisë “Primo”, paralajmëron se kjo periudhë qetësie do të përfundojë shumë shpejt, pasi me mbylljen e sezonit të të korrave, çmimi i grurit për muajt shtator dhe dhjetor do të ketë rritje të lartë. Ai nënvizon se këta muaj do të përcaktojnë ecurinë e furnizimeve.

“Situata nuk pritet të jetë e mirë. Muajt para fillimit të sezonit të korrjes së grurit janë periudhë qetësie para stuhisë. Fillimi i sezonit të korrjes do të tregojë më qartë situatën e prodhimit, por parashikimet nuk janë pozitive. Do të ketë kufizim të furnizimeve. Vitin e kaluar, për shkak të pandemisë, prodhimi i grurit ra 25 mln tonë në raport me prodhimin e 2019-2020.

Këtë vit pritet që të korrat në botë të jenë edhe më të dobëta. Pse? Këtë vit pati shtrenjtim të lartë të çmimit të naftës, të pesticideve, herbicideve dhe shtrenjtim të çmimit të farës.

Rritja e kostove detyroi fermerët të pakësonin të mbjellat e tyre, pasi ishte e papërballueshme. Faktor tjetër kryesor në rënien e prodhimit është edhe fillimi i luftës Rusi-Ukrainë. Të mbjellat në Ukrainë u shkatërruan, ndërsa Rusia, për shkak të sanksioneve të vendosura, e ka të pamundur eksportin. Në anën tjetër, të korrat e mira kanë nevojë për mot të mirë. Temperaturat ekstreme të nxehta po dëmtojnë të mbjellat. Kjo detyroi edhe Indinë që në mesin e muajit maj të bllokonte eksportin e grurit”.

Sipas z. Haxhiymeri, në vitin 2022, situata e drithërave në rang botëror do të jetë shumë problematike dhe vështirësitë do të ndihen pas përfundimit të sezonit të të korrave, në muajin shtator dhe në pikun e dimrit, në dhjetor. “Nuk pritet që Europa dhe Shqipëria të përballen me katastrofë në furnizime apo zi buke.

Produkti nuk do të mungojë pavarësisht çmimit. E theksoj që çmimi i grurit parashikohet të shtrenjtohet shumë. Në rritjen e çmimit do të ndikojë edhe kostoja e magazinimit. Për magazinim e grurit pas korrjes do të shpenzohen më shumë para nga shtrenjtimi i çmimit të naftës.

Zia e bukës do të ndihet në shtete të varfra, si: Bangladeshi, Afrika dhe në disa vende të Lindjes së Mesme, pasi kushtëzohen nga furnizimet për shkak të mbylljes së Detit Mesdhe dhe veçanërisht shtrenjtimit të çmimit. Do të jetë e pamundur që këto shtete të kryejnë furnizime, pasi çmimet do të jenë të papërballueshme”.

Roland Hysa, nga kompania “Miell Tirana”, u shpreh për “Monitor” se vazhdimi i luftës do të vështirësojë situatën e furnizimeve, ndërsa pritet që të zbatohen edhe rregulla të reja për importet. Sipas tij, shumë shtete do të furnizohen me grurë nga Kina të blerë në Rusi, me çmime më të larta dhe kosto ekstra transporti.

“Fillimi i luftës është një ndër arsyet kryesore që ka ndikuar te rritja e çmimit të grurit dhe vështirësia në gjetjen e tij. Shqipëria, 85% të furnizimit të grurit e kryen nga Rusia dhe Serbia dhe një pjesë më të vogël nga Ukraina. Bllokimi me tregtimin e drithërave është një ndër arsyet pse Rusia nisi luftën me Ukrainën.

Rusia është një shtet që ka në kontroll karburantet, gazet, pesticidet dhe kërkon kontrolloi edhe për tregtimin e drithërave. Për të përballuar këtë situatë do të kryhet qarkullimi i furnitorëve. Shtetet nuk do të furnizohen direkt nga Rusia, por nga Kina e cila do të blejë grurin e Rusisë. Pasi të blejë grurë për të mbuluar konsumin e saj, pjesën e mbetur, Kina do t’ua shesë shteteve të tjera. Në këto kushte, çmimi i grurit do të ketë gjithmonë tendencë rritëse”.

Departamenti Amerikan i Bujqësisë (USDA) vlerëson se lufta dhe moti i keq do të ndikojnë në uljen e prodhimit global të grurit për herë të parë në 4 vjet. Më e keqja është se gruri, në të vërtetë, nuk tregtohet globalisht. Blerësit shpesh kanë marrëdhënie të gjata dypalëshe me eksportuesit dhe vendosin kanale tregtare që e bëjnë të vështirë ndërrimin e furnizuesve.

Sipas Organizatës së OKB-së për Ushqimin dhe Bujqësinë (FAO), gati 50 shtete varen nga Rusia ose Ukraina, ose nga të dyja, për më shumë se 30% të importeve të grurit; për 26 prej tyre, kjo shifër është mbi 50%.

Gruri po importohet nga Serbia

Gruri në Shqipëri po importohet më tepër nga Serbia dhe në sasi të pakët nga Rumania. Çmimi i grurit nga këto shtete po blihet 485-490 USD/ton. Mielli për bukën masive po del me çmim 80 lekë/kg nga fabrikat, sipas z. Haxhiymeri. Çmimi i shitjes për qytetet e largëta si Saranda arrin 82 deri në 85 lekë/kg, për shkak të kostos së lartë të transportit nga shtrenjtimi i naftës. Çmimet e shitjes së miellit masiv në vend, prej muajit, prill përcaktohen nga Bordi i Transparencës.

Rezervat e grurit të Ukrainës rrezikojnë të kalben për shkak të pamundësisë të transportit. Grosistët shqiptarë kanë filluar marrëveshjet për blerje, por nga lufta gruri i Ukrainës vijon të mbetet i paarritshëm. “Importet nga Ukraina janë totalisht të bllokuara. Prej dy muajsh kemi porositur blerjen e dy anijeve me grurë, por është e pamundur të vijnë”, pohoi administratori i “Miell Tirana”, Roland Hysa.

Vazhdimi i luftës dhe bllokimi i eksporteve nga Ukraina dhe Rusia po ndikojnë te paqëndrueshmëria e çmimit të drithërave në botë. Importuesit shqiptarë thonë se çmimet janë aq të luhatshme sa ndikohen nga çdo lajm. “Pak ditë më parë, për shkak të sulmit të një porti në Ukrainë, çmimet në tregjet e huaja u rritën 40 USD për ton.

Çmimi i grurit arriti në 480 USD/ton. Parashikohet që në muajt në vazhdim të ketë rritje tjetër të çmimeve”, theksoi një nga grosistët e grurit. Në portet e Odesës në Ukrainë kanë mbetur të bllokuara 25 mln tonë grurë. Nga Odesa kalojnë 98% të eksporteve të drithit. “Transportimi i grurit përmes porteve alternative në Rumani, Bullgari dhe vendet baltike, është i vështirë.

Para luftës, Ukraina eksportonte rreth 5 milionë tonë drithëra në muaj. Muajin e kaluar, ne arritëm të nxjerrim vetëm 1,1 mln ton”, tha për “The Economist”, Mykola Solskiy, ministri i Bujqësisë.

Në anën tjetër, moti ekstrem i nxehtë po dëmton të mbjellat me grurë në Indi. Për këtë arsye, në mesin e muajit maj, India vendosi ndalimin e eksporteve.

Më 16 maj, ditën e parë të tregtimit pasi India vendosi kufizimet e saj, çmimet e grurit në SHBA u rritën me 6%; më 18 maj, ishin 39% më të larta se kur Rusia nisi pushtimin. Ndërsa në tregjet e Europës çmimet u rritën 10%.

Rritja e çmimit të grurit në tregjet e huaja nuk do të ndalet

Vendimi i Indisë për bllokimin e eksportit të grurit nga moti i nxehtë, reduktimi me 50% i eksportit nga Ukraina dhe embargoja me Rusinë, sipas Adi Haxhiymerit mbeten arsyet vendimtare të vijimit të rritjes së çmimit të grurit. “Çmimet e grurit do të jenë katastrofë, pasi në treg, oferta do të jetë shumë më e ulët sesa kërkesa.

Aktualisht gruri është i gjelbër dhe kërkon edhe disa muaj të korret. Në këtë fazë, përflitet që çmimi i tij ka arritur 450 USD/ton (gruri i gjelbër nuk po shitet dhe blihet nga asnjë shtet)”, veçon ai. Grosistët të tjerë vendas nënvizojnë se mbyllja e tenderit për blerjen e 400 mijë tonë grurë nga Egjipti është tjetër sinjal për shtrenjtimin e grurit në tregjet e huaja.

Nga Egjipti, gruri është blerë me çmimin e 480 USD/ton në Rumani, Rusi dhe Bullgari. Egjipti është një nga importuesit më të mëdhenj në botë të grurit. Transporti i 6 anijeve me grurë do të bëhet në periudhën 20 – 31 qershor, 1 – 22 korrik dhe 1- 10 gusht.

Në tregjet e huaja, shtrenjtimi i çmimit të grurit nisi verën e kaluar, si rezultat i rritjes së kërkesës dhe rënies së ofertës, për shkak të të korrave jo shumë të mira dhe problemeve me zinxhirin e furnizimit. Në muajin tetor 2020, çmimi i grurit të zhdoganuar, sipas kompanive kryesore të blojës, arriti 220 dollarë/ton kurse çmimi i miellit ishte 48 lekë/kg.

Një vit më pas nga fundi i shtatorit -fillimi i muajit tetor, çmimi i grurit të zhdoganuar arriti 340 dollarë/ton dhe çmimi i miellit në treg 55 deri 58 lekë/kg. Çmimi i grurit të zhdoganuar në harkun e një viti u shtrenjtua 63%.

Efektet e rritjes së çmimit të miellit

Fabrikat e blojës thonë se shtrenjtimi i çmimit të miellit ka ndikuar te rënia e konsumit. Për një nga importuesit e grurit, fuqia blerëse për miell është tkurrur 30-40% krahasuar me vjet. Drejtuesi i kompanisë së blojës “Primo”, Adi Haxhiymeri, thekson se rënia e konsumit është ndikuar nga shtrenjtimi i çmimeve.

“Në këtë periudhë konsumatorët janë më të kujdesshëm me shpenzimin e të ardhurave të tyre. Nëse më parë, një familje blinte në shtëpi disa pako me miell për gatime petullash apo picash, sot konstatohet se familjet nuk blejnë miell përtej nevojave të tyre. Blejnë aq sa kanë parashikuar të konsumojnë, jo më tepër”, thotë ai.

Në muajin mars, për shkak të shtrenjtimit të bukës, shumë konsumatorë nisën gatimin e saj në shtëpi. Në atë periudhë, siç ka pohuar më parë kryetari i Shoqatës së Bukës, Pastiçerive dhe Brumërave, Gëzim Peshkopia, në furrat e bukës u reduktua kapaciteti prodhues me 20 deri 25%.

“Shumë konsumatorë, për shkak të shtrenjtimit të çmimit të miellit dhe bukës nisën që këtë produkt ta gatuajnë në shtëpitë e tyre. Blerjen në furrat e bukës e zëvendësuan me blerjen e miellit për gatim të bukës, apo petullave në shtëpi. Rënia e kapacitetit të furrave të bukës më e lartë është në zonat rurale, pasi janë më të familjarizuar me prodhimin e bukës në shtëpi”.

Në kohë krizash, vendet më të goditura, janë ato të varfra, sepse njerëzit e varfër shpenzojnë një pjesë më të madhe të të ardhurave për ushqim. Sipas të dhënave të Eurostat, Shqipëria është shteti që shpenzon më shumë për bukë në Europë dhe e ka më të shtrenjtën në raport me të ardhurat. Shqipëria, një nga shtetet më të varfra të Europës, renditet si vendi ku banorët e saj shpenzojnë më shumë për bukë dhe drithëra në raport me të ardhurat.

Sipas Eurostat, shpenzimet nominale për bukë dhe drithëra, si përqindje e Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB – që mat vlerën e mallrave dhe shërbimeve përfundimtare të prodhuara nga ekonomia në një vit) në Shqipëri ishin 4.8%, në vitin 2020, më të lartat në Europë. Shteti i dytë pas nesh është Rumania, me 4% të PBB-së, si shpenzime për bukë dhe drithëra, Mali i Zi, me 3.9% të PBB-së, i ndjekur nga Bosnjë-Hercegovina me 3.1% dhe Maqedonia e Veriut, me 3%.

Edhe Greqia, ndonëse një vend në Bashkimin Europian, shpenzon 2.7% të PBB-së për bukë dhe drithëra. Serbia e ka këtë tregues më të ulëtin në rajon, me 2.4% (të dhënat për Kosovën mungojnë). Mesatarja e vendeve kandidate dhe potenciale kandidate (përjashtuar Turqinë dhe Kosovën) është 3% e PBB-së, shumë më e lartë se mesatarja prej 1,3% e 27 vendeve të Bashkimit Europian.

Në vlerë absolute, shpenzimet mesatare për banor për bukë e drithëra janë 220 euro në vit, më të lartat në rajon, së bashku me Malin e Zi (266 euro). Nivelin më të ulët në rajon e ka Maqedonia e Veriut (157 euro) e më pas Serbia (164 euro). Vendet e zhvilluara shpenzojnë më shumë për frymë për këtë produkt, pasi është më i shtrenjtë, por për shkak të të ardhurave të larta, ai nuk rëndon në xhepat e tyre.

Si ka ndryshuar çmimi i bukës

Për periudhën 2021-2022, çmimi i bukës është rritur 3 herë radhazi me një rritje totale prej 71%. Shtrenjtimi i parë nisi në muajin shtator të vitit të kaluar, ku buka masive u rrit në 80 lekë nga 70 lekë.

Në mesin e muajit mars, çmimi i bukës shënoi sërish rritje, duke arritur në 100 lekë. Ndërsa çmimi në 120 lekë ka nisur të tregtohet në rrethet si Korça, Pogradeci, Gjirokastra apo Saranda, për shkak të shtrenjtimit të kostove të transportit të miellit nga karburanti.

Në muajin gusht 2021, rritja e çmimit të miellit nga 50 lekë në 55 lekë për kg solli shtrenjtim të çmimit të bukës në të gjithë tregun 14%. Për muajin mars, çmimi i miellit arriti në 80-85 kg, duke sjellë rritje të çmimit të bukës në të gjithë tregun edhe me 20%. Rritja e çmimit të miellit fillimisht u ndikua nga shtrenjtimi i grurit për shkak të mungesës të prodhimit.

Në muajin tetor të vitit 2021, çmimi i grurit të importit u rrit nga 220 dollarë në 360 dollarë për ton i zhdoganuar. Fillimi i luftës ekspozoi më tepër çmimin e bukës dhe grurit.

Sipas të dhënave të Eurostat, Shqipëria është shteti që ka peshën më të lartë të shpenzimeve për ushqime në raport me totalin, një tregues i nivelit të ulët të të ardhurave, që dikton plotësimin e nevojave bazë, përpara se të fillojë të mendojë për shpenzime më pak bazë e deri tek ato që nuk janë të domosdoshme, si p.sh., argëtimi.

Të ardhurat mesatare për frymë të shqiptarëve janë sa 31% e mesatares së Bashkimit Europian, më e ulëta në Europë (pas nesh është Bosnja me 32%) Sipas tabelave të Eurostat, shpenzimet për ushqime dhe pije alkoolike zënë 38% të totalit për familjet shqiptare, në krahasim me 13% që është mesatarja e 27 vendeve të Bashkimit Europian dhe 30.6% që e ka shteti i dytë në listë pas nesh, Maqedonia e Veriut./Monitor

 

Burimi: INSTAT

 

Burimi: INSTAT

 

Burimi: INSTAT