A është më në fund gati Mali i Zi për ndryshimin e udhëheqjes?

Nga Devin Haas “Emerging Europe

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

Zgjedhjet presidenciale të kësaj fundjave në Malin e Zi do të vendosin mbi fatin e sundimtarit shumëvjeçar dhe presidentit aktual Milo Đukanović. Më 19 mars, do të mbahet raundi i parë i zgjedhjeve presidenciale. Në rast se asnjë kandidat nuk arrin të marrë shumicën e votave, balotazhi i raundit të dytë ndërmjet dy kandidatëve kryesorë do të mbahet më 2 prill.

Presidenca e Malit të Zi është një mandat fiks, 5-vjeçar dhe mund të mbahet vetëm dy herë. Presidenti aktual Milo Gjukanoviç e nisi mandatin e tij aktual në vitin 2018. Por më parë ka qenë president në vitet 1998-2002, kur Mali i Zi ishte ende një republikë përbërëse e Republikës Federale të Jugosllavisë.

Për shkak se mandati i tij i parë ishte para rivendosjes së pavarësisë së Malit të Zi, Đukanović ka të drejtë të garojë për një mandat tjetër. Po ashtu ai ka qenë kryeministër në vitet 1991-1998, 2003-2006, 2008-2010 dhe 2012-2016. Ai drejton Partinë Demokratike të Socialistëve (DPS) të Malit të Zi, pasardhësen e Partisë Komuniste Jugosllave. DPS e ka drejtuar Malin e Zi – që u anëtarësua në NATO në vitin 2017 dhe është kandidate për në Bashkimin Evropian që nga viti 2010 – qoftë e vetme apo në një koalicion për gati tre dekada nga viti 1991 deri në vitin 2020.

Tre dekada në pushtet

Kur karriera politike e Đukanović nisi me ngjitjen e tij në pozitën e kryeministrit në moshën 29-vjeçare, ai bashkëpunoi ngushtësisht me liderin serb Slobodan Milošević dhe mbështeti rrethimin dhe bombardimin e Dubrovnikut. Vetëm në vitin 1998, ai e rimodeloi veten si një reformator properëndimor dhe nisi të distancohej nga Milošević.

Mali i Zi pranoi refugjatë shqiptarë nga Kosova. Nën drejtimin e Đukanović, Mali i Zi miratoi markën gjermane si monedhën e tij, përpara se të miratonte në mënyrë të njëanshme euron në vitin 2002, pavarësisht se nuk kishte marrëveshje formale me institucionet e eurozonës.

Đukanović nisi të lobojë për pavarësinë e Malit të Zi nga federata e përbashkët me Serbinë, gjë që u realizua në referendumin e vitit 2006. Po ashtu ai mbështeti anëtarësimin e Malit të Zi në BE dhe NATO. Në vitin 2016, në mesin e një krize politike të vazhdueshme dhe në prag të anëtarësimit të Malit të Zi në NATO, kundër tij pati një tentativë të supozuar për grusht shteti të mbështetur nga Rusia, dhe ku përfshiheshin shtetas rusë dhe serbë, si dhe politikanë të opozitës malazeze.

Disa prej tyre u dënuan në vitin 2019. Por vendimi u anulua në vitin 2021 nga një Gjykatë e Apelit, që vendosi se gjykimi i mëparshëm kishte shkelur ligjin penal. Krimi i organizuar dhe korrupsioni kanë mbetur problematikë në Mal të Zi gjatë dekadave të udhëheqjes së Đukanović.

Në vitin 2015, Projekti i Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit e shpalli atë si “Personin e Vitit të Krimit të Organizuar”. Rrjedhjet e dosjes “Pandora Papers” në vitin 2021 zbuluan se Đukanović dhe djali i tij kanë llogari në parajsat fiskale në Ishujt e Virgjër Britanikë. Madje Milo Đukanović kishte përdorur pasaportën e tij diplomatike për të hapur llogarinë e tij. 

Kriza e fundit

Freedom House e klasifikon Malin e Zi si një “demokraci gjysmë të konsoliduar”, e cila ishte “pjesërisht e lirë” deri në vitin 2019, kur vendi zbriti në klasifikimin e një “regjimit hibrid”. Freedom House vë në dukje se suksesi i Đukanović në zgjedhjet “të lira, por jo të drejta” të 2018-ës u ndihmua nga qasja e tij në burimet shtetërore gjatë fushatës dhe fakti që ai refuzoi të debatonte në TV me ndonjë kandidat tjetër.

Më pak se 2 javë para zgjedhjeve të 2018-ës, një gazetare investigative malazeze ra pre e një atentati me një makinë-bombë dhe një muaj më vonë, një tjetër gazetare investigative që mbulonte korrupsionin u qëllua jashtë shtëpisë së saj nga autorë të panjohur.

Pas protestave mbi një ligj të diskutueshëm që e transferonte pronësinë e godinave dhe pasurive të paluajtshme të para vitit 1918 nga Kisha Ortodokse Serbe në shtetin malazez, zgjedhjet parlamentare të vitit 2020 prodhuan një “tërmet” politik të vërtetë.

Në kushtet e ekzistencës së shumë pak mediave të pavarura dhe qasjes tek burimet shtetërore, DPS-ja në qeveri fitoi më shumë vota nga çdo parti. Megjithatë, tre koalicione opozitare nga i gjithë spektri politik u bënë bashkë për ta rrëzuar atë.

Por mosmarrëveshjet e brendshme midis fraksioneve pro-serbe dhe pro-perëndimore të qeverisë së re, çuan në rrëzimin e saj me një mocion mosbesimi në shkurtin e vitit 2022. Një qeveri e re, edhe më pro-perëndimore u formua në prill vetëm për t’u rrëzuar në muajin gusht, pak ditë pasi kryeministri nënshkroi një marrëveshje të diskutueshme për të zgjidhur mosmarrëveshjet e vazhdueshme me Kishën Ortodokse Serbe.

Đukanović e refuzoi kandidatin e ri për kryeministër, Miodrag Lekic në shtator 2022 për disa gabime procedurale. Por parlamenti miratoi një ligj që do t`i lejonte atij të miratonte Lekic si kryeministër nëse këtë gë nuk e bënte presidenti. Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian i bënë thirrje shumicës parlamentare që të mos përpiqet të formojë një qeveri bazuar në ligjin e ndryshuar, pasi ajo do të kishte legjitimitet të dyshimtë.

Më 16 mars, Đukanović miratoi një dekret për shpërndarjen e parlamentit, pas skadimit të një afati ligjor që kishte Lekic për të formuar qeverinë e re. Sipas kushtetutës së vendit, zgjedhjet duhet të thirren një ditë pasi të shpërndahet parlamenti. Presidenti duhet të caktojë datën për zgjedhjet e reja parlamentar 60 deri në 100 ditë pas firmosje së dekretit.

Sfida më e vështirë deri më sot

Nëse Đukanović do të jetë ende president deri atëherë, kjo është një çështje e diskutueshme. Ai mbetet qartazi favoriti kryesor, edhe pse 6 kandidatë po e sfidojnë atë në zgjedhjet presidenciale të së dielës. Jakov Milatović, një ekonomist i ri nga lëvizja gjithnjë e më popullore “Evropa Tani”, shihet si rivali kryesor i presidentit aktual.

Edhe Andrija Mandić, kandidati i Frontit Demokratik pro-rus, ka shanse të paktën që të arrijë në balotazh. Mungesa e sondazheve të besueshme e bën të vështirë parashikimin e rezultatit. Gjatë gjithë fushatës, Đukanović është përpjekur të prezantohet si një kandidat për stabilitet. Muajin e kaluar ai tha se “Mali i Zi është tërësisht i paralizuar në rrugëtimin e tij evropiane, ndaj kjo agoni duhet të ndalet sa më shpejt të jetë e mundur”, duke sugjeruar se vetëm ai mund të zhbllokojë ngërçin politik. Një ngërç që në fakt – kundërshtarët e tij nuk kanë vonuar që t’ia vënë në dukje – është shkaktuar kryesisht prej tij. /albeu.com

 


Shtuar 18.03.2023 10:36