Një front i ri krize në rajonin e gjerë të Lindjes së Mesme u shfaq këtë javë për shkak të tensionit midis Iranit dhe Pakistanit.
E megjithatë kriza ka shumë vite që “zvarritet” dhe është shfaqur ditët e fundit me bombardime nga të dyja anët të cilat kanë lënë disa persona të vdekur.
Por a është e mundur që të dy vendet të përshkallëzojnë konfliktin, duke sjellë një konfrontim të drejtpërdrejtë dhe ndoshta luftarak?
Në qendër, siç vëren CNN, është rajoni Baloch që shtrihet në të dy anët e kufirit. Irani dhe Pakistani ndajnë një armik të përbashkët separatist, si dhe një kufi prej 900 kilometrash.
Megjithatë, deri më sot, ka qenë shumë e pazakontë që njëra palë të sulmojë luftëtarët në tokën e tjetrës.
Çfarë ndodhi?
Kriza filloi të martën kur Irani kreu sulme ajrore në provincën Balochistan të Pakistanit, duke vrarë dy fëmijë dhe duke plagosur disa të tjerë, sipas autoriteteve pakistaneze. Teherani pretendoi se “kishte në shënjestër vetëm terroristët iranianë në tokën pakistaneze” dhe se nuk synonte civilët pakistanezë.
Në shënjestër të veçantë ishin bastionet e grupit militant sunit Jaish al-Adl (“Ushtria e Drejtësisë”), një grup separatist që vepron në të dy anët e kufirit Iran-Pakistan dhe ka marrë në të kaluarën përgjegjësinë për sulmet ndaj objektivave iraniane.
Qëllimi i saj përfundimtar është pavarësia e provincës iraniane të Sistan dhe Baluchestan.
Nga ana e tij, Pakistani u zemërua, duke folur për një “shkelje flagrante të ligjit ndërkombëtar dhe frymës së marrëdhënieve dypalëshe midis Pakistanit dhe Iranit”.
Përgjigja e tij erdhi dy ditë më vonë me “goditje precize” në strehimoret separatiste në Sistan dhe Baluchistan. Në Pakistan, të paktën tre gra dhe katër fëmijë u vranë.
Pse tani?
Konflikti ka një histori të gjatë të shoqëruar me përplasje të përgjakshme, por në përmasa të vogla, të cilat kanë ndodhur edhe herë të tjera vitet e fundit.
Dhjetorin e kaluar, militantët e Jaish al-Adl sulmuan një stacion policie në Sistan dhe Baluchestan, Iran, duke vrarë 11 oficerë policie.
Ajo që nuk kemi parë deri më tani ishte gatishmëria e secilës palë për të goditur objektivat përtej atyre kufijve pa njoftuar më parë njëri-tjetrin.
Kush janë Baloch?
Populli Baloch (ose Baluch) jeton midis Pakistanit, Afganistanit dhe Iranit. Prej shumë vitesh ata kanë shfaqur tendenca për pavarësi dhe gjithmonë kanë inat të sundohen nga Pakistani dhe Irani, duke iu drejtuar rebelimeve.
Rajoni në të cilin ata jetojnë, vëren CNN, është i pasur me burime natyrore, por vetë Baloch shohin pak fitime .
Kush janë terroristët?
Jaish al-Adl është një nga disa grupe separatiste që veprojnë në Iran. Fillimisht ishte pjesë e grupit sunit Jundallah, i cili u nda pasi lideri i tij u ekzekutua nga Irani në vitin 2010. Nga kjo doli Jaish al-Adl, i cili është cilësuar si organizatë terroriste nga Departamenti i Shtetit i SHBA. Grupi synon personelin e sigurisë në Iran, zyrtarët qeveritarë dhe shiitët.
Në vitin 2015, grupi mori përgjegjësinë për një sulm në të cilin u vranë tetë roje kufitare iraniane.
Katër vjet më vonë, në vitin 2019, ai mori përgjegjësinë për një sulm vetëvrasës që goditi një autobus që transportonte anëtarë të ushtrisë iraniane, duke vrarë të paktën 23 persona.
A do të shkojmë në luftë?
Pavarësisht krizës diplomatike, është e paqartë nëse Irani apo Pakistani do të donin të krijonin armiqësi për grupet separatiste që të dy i konsiderojnë armiq.
Të dyja palët lëshuan deklarata pas goditjeve që lanë të kuptohet se dëshira e tyre është që mos përshkallëzohet konflikti. Ministria e Punëve të Jashtme të Pakistanit madje e quajti Iranin një “vend vëllazëror” dhe theksoi nevojën “për të gjetur zgjidhje të përbashkëta”.
Por ministri i Jashtëm iranian e quajti gjithashtu Pakistanin një “vend mik” dhe deklaroi se sulmet e tyre ishin proporcionale dhe kishin për qëllim vetëm militantët.