Arrestimi i ish-kryeministrit të Bullgarisë, Bojko Borisov, shkaktoi incident në Parlamentin bullgar.
Procesi i arrestimit vijoi pas një denoncimi për zhvatje nga një afarist prej 30 milionë eurove.
Grupi parlamentar i partisë GERB, kërkoi të votohet një Deklaratë për mbrojtje të liderit të tyre dhe kërkesë për zgjedhje të parakohshme parlamentare.
Kryeministri Kirill Petkov erdhi në pushtet me një synim të qartë: “Zero korrupsion”. Ai porositi se askush nuk është mbi ligjin:
“Derisa Prokuroria evropiane bën kontroll, është koha që Prokuroria bullgare të veprojë dhe të qëndrojë në anën e qytetarëve. Mendoj se të gjithë e dinë se kemi kaq shumë denoncime të cilat Prokuroria i shqyrton publikisht. Ja, tani shpresoj se në fund ata do të kuptojnë se cili është roli i tyre“, tha Kiril Petkov, kryeministër kryeministër i Bullgarisë.
Nga partia e Borisovit akuzojnë, duke thënë se bëhet fjalë për represion ndaj oponentëve politikë, prandaj sot dolën në protestë para godinës së Qeverisë.
“Të sulmosh një oponent politik sepse parashtron pyetje për të cilat nuk ke përgjigje…. Që ta fshehësh injorancën e vet, pasi nuk mund të ballafaqohesh me asnjë sektor, me asnjë krizë, kjo është absolutisht e pahijshme“, tha Tomisllav Donçev, anëtar i GERB-it.
“Po e shihni se mbrëmë në orën 20 civilë hynë te Borisovi. A veprohet kështu në një shtet të së drejtës? Çfarë duan të fshehin kompetentët? Ndoshta që të mos flitet tashmë për çmimin e derivateve, vajit, produkteve themelore ose për këtë që do të ndodhë sot apo nesër”, theksoi Cveta Karajnçeva, anëtare e GERB-it.
Kjo fotografi nga dje është në rrjetet sociale. Kështu u hap edhe tema nëse Bojko Borisov mund të bëjë “tronditje” edhe në Maqedoninë. Në vendin tonë një prej bankave bullgare, sipas informacioneve të TV21, nga garnitura jonë qeveritare u ishte premtuar njerëzve të ngushtë të ish kryeministrit bullgar, tashmë i arrestuari Borisov.
Por pronari i bankës pasi ka mësuar për premtimin, u kërcënua se nëse shitet banka investitorëve bullgarë që janë njerëz të ngushtë të Borisovit, do të dalë në mediat së bashku me anëtarët e Bordit drejtues dhe do të kumtojë se bankën e merr një grup kriminel dhe i dyshimtë.
Me hapin e këtillë do të ndodhte tronditje e madhe edhe në sektorin e bankave te ne me çka një numër i madh klientësh të Bankës komerciale do t’i tërheqin depozitat e tyre.
Gjatë një takimi i përbashkët në nivel të lartë, ishte biseduar edhe për marrjen e një televizioni kombëtar privat nga ana e njerëzve të ngushtë të Borisovit, por edhe këto plane dështuan.
Përndryshe arrestimi i Borisovit ndodh në të njëjtën kohë me vizitën e prokurores kryesore evropiane Laura Qoveshi në Sofje. Prokuroria bullgare sipas dëshmisë së biznesmenit prej të cilit është kërkuar ryshfet, edhe pse ka denoncuar, nuk ka ndërmarrë asnjë veprim. Shefi aktual Ivan Geshev vlen si njeri i ngushtë i Bojko Borisovit.