Zëdhënësi i KEDS-it, Viktor Buzhala, thotë se i kanë bërë të gjitha përgatitjet për furnizim stabil me energji elektrike në natën e Vitit të Ri, mirëpo sipas tij, kjo varet nga prodhimi vendor.
Buzhala në një prononcim për “Gazeta Blic”, thotë se sot dhe nesër është paraparë të mos ketë reduktime.
“Ne e kemi siguruar importin e nevojshëm, mirëpo kjo varet edhe prej prodhimit vendor sa do të jetë prodhimi dhe varet a siguron KEK-u energjinë shtesë sepse sot ka rënë një bllok. Aktualisht nuk ka reduktime edhe nesër parshihet të mos ketë”, thotë Buzhala.
Përveç problemeve në “Kosovën B” ku jashtë prodhimit e ka një bllok prej 250 megavate orë energji elektrike, tani nga sistemi ka rënë edhe “Blloku A5” i “Kosovës A”. Derisa në dy blloqet tjera, A3 dhe A4 janë paraqitur probleme teknike. Blloku A3 i “Kosovës A” aktualisht ka rrjedhje te hidrogjenit në gjenerator e po ashtu edhe ne Blloku A4 ka rrjedhje dhe telashe të tjera teknike.
Kuvendi i Kosovës, ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme energjike për 60 ditët e ardhshme, çka do të thotë se për këtë periudhë, do të përballemi edhe me reduktime më të theksuara, në mënyrë që ta kemi më të lehtë tejkalimin e kësaj krize që ka kapluar mbarë evropën.
Në anën tjetër, Qeveria e Kosovës ka angazhuar një ekspert gjerman për sanimin e problemeve.
Shtetit të Kosovës ai do t’i kushtojë plot 12 mijë euro në ditë, ose 248 mijë euro për tre javë.
Kujtojmë se kryeministri i shqipërisë, Edi Rama, dje përmes një postimi në rrjetin social “Twitter” konfirmoi ndihmën me energji elektrike për Kosovën për ditën e fundit të vitit dhe ditën e parë të vitit të ardhshëm.
“Duke e ndjekur me shqetësim krizën e rëndë energjitike që ka prekur Kosovën kërkova sot nga ministria e Energjisë të vlerësojë çdo mundësi ndihme për qeverinë e Kosovës,që familjeve në Kosovë të mos u mungojë energjia elektrike në dy ditët e festës popullore të ndarjes së viteve!Shqipëria s’e ka aspak të lehtë mbrojtjen e vijueshme të familjeve e sipërmarrjeve të vogla nga dallga e tërbuar e krizës energjitike që po kërcënon çdo vend, por në sekëlldira të mëdha apo në gëzime popullore siç është Viti i Ri, ne s’mund të mos e ndajmë me Kosovën aq sa kemi!”, shkroi Rama.