Prej 96 ditësh, shqiptarët vijojnë pa ndërprerë aksionin qytetar kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama. Tubimi i fundit nisi në sheshin Skënderbej, prej nga demonstruesit u drejtuan fillimisht drejt godinës së Kryeministrisë për të përcjellë mesazhet e tyre dhe më pas marshuan drejt Bllokut të Sigurisë.
Në afërsi të Komisariatit nr. 3 në rrugën Mine Peza, ku mbahen aktivistët e arrestuar, protestuesit brohoritën “Gjithë Shqipëria është me ju”. Thirrjet “Lironi çunat, lironi gocat” dhe “Arrestoni Ramën” mbushën hapësirën, ndërsa kërkohej liria e të ndaluarve.
Të lidhura
None found
Qytetarët e pranishëm u shprehën të vendosur se lëvizja nuk do të shuhet deri në dorëheqjen e panegociueshme të kryeministrit Edi Rama. Ata e cilësojnë këtë kërkesë si të pathyeshme dhe thelbësore për të ardhmen e vendit.
Ndërkohë, sytë janë kthyer nga data 7 shtator, e cila shënon ditën e 100-të të protestave. Sipas njoftimeve të bëra gjatë tubimit të së mërkurës, për atë moment synohet një mobilizim shumë më i madh, me qëllim rrethimin e plotë të ndërtesës së Kryeministrisë.
Një tjetër datë kyçe është 12 shtatori, kur mërgata shqiptare pritet të zbresë masivisht në Tiranë për t’iu bashkuar revoltës. Edhe kjo ditë është paralajmëruar si një moment me pjesëmarrje të gjerë popullore.
Protestuesit kanë bërë thirrje të vazhdueshme për angazhim në ditët në vijim dhe theksojnë se 7 dhe 12 shtatori do të jenë dy nga etapat më vendimtare të aksionit qytetar.
