7 sjellje të kujdesit ndaj vetes që njerëzit shpesh i neglizhojnë

Çdo gjë që e konsideroni si kujdes për veten, si e gjeni kohën e lirë për ta bërë? Shumë njerëz i neglizhojnë veprimet që çojnë në një mirëqenie fizike, mendore, pa e kuptuar se pasojat janë edhe më afatgjata në jetën e tyre.

Neglizhimi i shtatë sjelljeve apo praktikave sipas psikologëve mund të ketë pasoja të rënda negative të tilla si lodhje, pengesa në karrierë, vetëvlerësim të ulët, më pak para dhe probleme me shëndetin mendor.

Caktoni më shumë kohë të lirë për veten që të shmangni të tilla pasoja në jetën tuaj:

-Kërkoni ndihmë sa herë ju duhet

Në shoqëritë individualiste, kërkimi i ndihmës mund të konsiderohet si një shenjë dobësie. Kërkimi i ndihmës është më shpesh një përgjigje realiste ndaj situatës suaj, jo një shenjë dobësie. Nëse jeni një prind që punon me orare të zgjatura mund të punësoni një person që ndihmon me shtëpinë apo fëmijët, e nëse keni probleme emocionale mund të flisni me një mik.

-Mos i shmangni situatat

Ju duhet të shkruani një raport pune, por nuk keni nerva të merreni dhe në vend të këtij angazhimi zgjidhni të shihni një film të bukur.  Kjo shmangie do të sjellë pasoja më të rënda në problemin fillestar. Gjeni një mënyrë për t’u marrë me këtë detyrë, përmes një sërë hapash të thjeshtë dhe të vegjël. Ndizni kompjuterin, hapni një dokument Word, vendosni një emër dhe ruajeni etj.

-Mos synoni përsosmërinë

Shumica e detyrave nuk mund të kryhen në mënyrë perfekte gjithmonë. Ju duhet të bëni paqe me këtë fakt dhe të përpiqeni të bëni më të mirën tuaj, pa u ndjerë në faj ose i/e paaftë kur diçka shkon keq.

-Vendosni kufij

Kjo do të thotë të jesh i/e sigurt për atë që dëshiron. Të jesh në gjendje të thuash “jo” në mënyrë të drejtpërdrejtë, të sinqertë dhe pa u ndjerë në faj është një element që mbron kohën, paratë dhe respektin për veten. Mos lejoni që njerëzit e tjerë të mbingarkojnë mendjen ose oraret tuaja.

-Kujdesuni për paratë

Neglizhimi i aftësive menaxhuese të parave mund ta kthejë jetën tuaj në një mjerim të përditshëm për të vendosur se çfarë fature të paguani, shpenzimet, kursimet, detyrimet etj. Paratë nuk janë përbërësi i vetëm në recetën e lumturisë, por siguria financiare rrit lumturinë, ul stresin dhe lejon më shumë zgjedhje në jetë.

-Pastrimet dhe sistemimet

Pastrimi i shtëpisë apo mjedisit nuk është vetëm një proces fizik, por edhe mendor. Reduktimi i rrëmujës minimizon shpërqendrimet, duke i lejuar trurit të përqendrohet në detyra më të rëndësishme. Shmangni rrëmujën në shtëpi apo punë dhe do të ndiheni më të organizuar dhe më mirë me veten.

-Caktoni kohë të lirë për veten

Të kesh një rutinë të përditshme për kujdesin ndaj vetes,  pavarësisht nëse e përcaktoni atë si palestër, meditim, kohë familjare, lexim ose kohë vetëm mund të sigurojë që të ndërtoni një ritual të mirë ndaj kujdesit për veten.


Shtuar 22.09.2023 07:40