Gjatë seancës së sotme në Kuvend, kreu i PD-së Lulzim Basha ka hedhur akuza ndaj qeverisë duke thënë se do të shpenzojnë 51.2 milionë euro për të mobiluar zyrat.
Basha tha se buxheti i vitit 2022 i prezantuar sot nga kryeministri Edi Rama, do të shkojë për oborrtarët e koncesioneve.
“Buxheti është akti politike që tregon vizionin apo mungesën e tij në një qeveri. Është ai që dikton veprimin ekonomik. Është në çdo rrethanë edhe në rrethanat e perversitetit pas masakrës së 25 Prillit. Këtu thënë me fjalë të thjeshta vendosin sesa do nxjerrin e do shtrydhin nga xhepat tuaj. Javën e shkuar ju I keni ndjekur komisionet parlamentare ku i kemi bërë publike kundërshtimet tona. Një kundërshti që e kemi shprehur në paradhënie por jo për të hapur kundërshtim, as nuk kemi qenë të vetmit në këtë kundërshtim. Të qarta kanë qenë edhe kundërshtimet e industrisë prodhuese, të dhjetrave dhomave të industrisë, nuk ka një shoqatë të vetme shqiptare që ta ketë pranuar këtë buxhet.
Më të vështirë e ka shqiptari i thjeshtë, ai që sheh një spirale mjerimi dhe largimi që vijon ditë pas dite dhe javë as jave që prej 8 viteve. 51% është shifra e Eurostatit që tregon përqindjen e shqiptarëve në rrezik varfërie e cila është më e larta në Ballkan. Këto janë shpresat e vrara të shqiptarëve të njerëzve të thjeshtë pasi buxheti i shtetit është vetëm në funksion të qeverisë dhe të PPP-ve ndërkohë që çdo gjë tjetër është mashtrim pasi rritja e çmimeve po vijon dhe po parakalon. Në këtë valë të madhe të njerëzve që janë zhytur në varfëri, ky nuk ka asnjë plan për këtë.
Deri më tani plani kryesor është hapja e thesit për oborrtarët e koncesioneve. Ndërsa vështirësitë e njerëzve të cilët çdo ditë përballen borxhet në listat e dyqaneve, mbeten të braktisurit e mëdhenj sepse askush nuk mendon për ta. Nëse mendojnë për ta nuk i japin dot 113 milionë euro për një grusht njerëzish, 5 njerëz maksimumi 6 persona. Kjo është 5 herë më shumë sesa do çohen për riindeksimin e pensioneve.
Ose të nderuar familje në nevojë ju dhjetëra mijë që ju mbajnë akoma me skemën e ndihmës ekonomike dhe ju dhjetëra mijë të flakur padrejtësisht nga kjo skemë, kjo shumë është 3 herë më e lartë. Këta planifikojnë të shpenzojnë 51.2 milionë euro për magazine, mobilieri dhe rregullime zyrash e fasadash”, tha Basha./albeu.com