4 humbësit që i shtrënguan dorën rivalit, leksione për “xhaketat e vjetra” të politikës shqiptare

Këto zgjedhje vendore kanë shënuar një fitore të thellë me 53 bashki për Partinë Socialiste të Shqipërisë. Disfatë ka pësuar opozita e cila fitoi vetëm 7 mandate duke humbur dhe bastionet historike, siç është edhe Shkodra e cila për herë të parë fitohet nga socialistët.

Epërsia e socialistëve u pa ndjeshëm në disa bashki dhe kjo bëri që në selinë blu të kaplojë heshtja. Megjithatë katër kandidatë kanë treguar shembull qytetarie, pasi kanë uruar kundërshtarët për fitoren duke pranuar kështu humbjen, gjë e cila duket e vështirë të ndodhë në Shqipëri.

Dorën kundërshtarit ia shtrëngoi edhe kandidati socialist në Kavajë, Redjan Krali.

Kandidati i koalicionit ‘Bashkë Fitojmë’’, Zef Hila në Vaun e Dejës uroi personalisht kundërshtarin e tij socialist Kristjan Shkreli.

Të njëjtën gjë bënë edhe kandidati socialist në Mirditë, Ndrec Dedaj dhe i koalicionit “Bashkë Fitojmë” në Gjirokastër, Dorjan Lani i cili ika uruar suksese Flamur Golemit të PS-së.

“Garova dhe për një rrugëtim tjetër 4 vjeçar pasi kisha projekte e punë të tjera për të kryer, por ju e besuat votën tuaj për kundërshtarin tim në këto zgjedhje Albert Mëlyshin. I uroj Albertit suksese në detyrën e lartë të Kryetarit Bashkisë dhe bëftë më të mirën për Mirditën dhe ju të dashur qytetarët e mijë. Sovrani nuk gjykohet. Mirdita mbi të gjitha”, shkroi Deda në rrjetet sociale.

“Në mesazhin tim, i kam uruar të gjitha të mirat dhe suksese në udhëheqjen e qytetit tonë të bukur, rivalit tim. Ne jemi një parti demokratike dhe vlerat tona janë të ndërtuara në bazë të respektimit të vullnetit të sovranit. Në fund të fundit, ndryshe nga garat sportive, në garën politike ka vetëm një fitues. Megjithatë, unë nuk do të ndaloj përpjekjet e mia për të ndihmuar Gjirokastrën dhe qytetarët e saj nëpërmjet punës time dhe angazhimit në shoqërinë civile”, tha Lani.

Këto kandidatë po dinë si t’u japin leksione “baballarëve” të politikës shqiptare që nuk dinë të pranojnë humbje, por veccse të gjejnë justifikime dhe fajtorë për dështimet e tyre.

Një tjetër shembull qytetarie u dha në Roskovec ditën e zgjedhjeve. Dy kandidatët Majlinda Bufi e PS dhe ai i koalicionit “Bashkë Fitojmë” Erdit Harizaj u ulën në një tavolinë së bashku duke konsumuar një kafe.


Shtuar 16.05.2023 10:36