20-vjetori i Marrëveshjes së Ohrit, Meta: Zbatimi i saj na afron me BE

Presidenti Ilir Meta ka përkujtuar 20-vjetorin e Marrëveshjes së Ohrit.

Meta ka vënë në dukje rolin e veçantë që kanë pasur e kanë shqiptarët atje, për zhvillimin dhe perspektivën euroatlantike të Maqedonisë.

Me një postim në Facebook, ai inkurajon  domosdoshmërinë e zbatimit të plotë dhe jetësimit integral, si një mundësi e shkëlqyer për konsolidimin e mëtejshëm të paqes e harmonisë ndëretnike, për të forcuar marrëdhëniet, si dhe për t’u afruar më pranë njëri-tjetrit dhe Bashkimit Europian.

“Në 20-vjetorin e nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit, duke vlerësuar progresin e deritanishëm domethënës për respektimin e saj, inkurajoj domosdoshmërinë e zbatimit të plotë dhe jetësimit integral, si një mundësi e shkëlqyer për konsolidimin e mëtejshëm të paqes e harmonisë ndëretnike, për të forcuar marrëdhëniet, si dhe për t’u afruar më pranë njëri-tjetrit dhe Bashkimit Europian.  Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut në këto dy dekada kanë qenë jo vetëm të përkushtuar për stabilitetin e vendit, por edhe garantë të integrimit euroatlantik të saj. Respektimi i të gjitha lirive dhe të drejtave të tyre, sipas standardeve më të avancuara europiane, është thelbësor ndaj e nxis një pjesëmarrje më të madhe dhe më cilësore të shqiptarëve, si faktor shtetformues, në jetën sociale, administrative e politike të Maqedonisë së Veriut. Përshëndetje vëllazërore dhe krenar për bashkëkombasit tanë, për rolin dhe angazhimin e tyre aktiv, konstruktiv dhe të pazëvendësueshëm për sovranitetin dhe integrimin euroatlantik të Maqedonisë së Veriut”, shkruan Meta në Facebook.

 

 


Shtuar 13.08.2021 15:31