Gjykata e Durrësit ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” për dy administratorët e dy kompanive, që kishin porositur banane në kontejnerin, ku u gjetën 143 kg kokainë.
Droga u sekuestrua në portin e Durrësit pak ditë më parë.
Të dy të arrestuarit, të cilët janë edhe kushërinj me njëri-tjetrin, kanë mohuar që të kenë lidhje me trafikun e drogës. Ata thanë pas arrestimit se operonin në fushën e importit të frutave prej 5 vitesh dhe çdo javë prisnin kontejnerë nga Amerika Latine, ndërsa mohuan se kanë lidhje me trafikun e drogës.
Policia dyshon se ngarkesa prej 143 kg drogë ka ardhur në Shqipëri për llogari të 3 grupeve të ndryshme kriminale. Policia ka sekuestruar telefonat celular të dy të arrestuarve si edhe gjithë dokumentacionin e kompanisë.