Hetuesit do të thërrasin sërish për t’u marrë në pyetje 24-vjeçaren Rozalinda Plaka, e cila u mbajt peng për orë të tëra nga ish-partneri i saj Refit Buzi. Ky i fundit, pasi i mori jetën babait të saj dhe e la të plagosur rëndë nënën – e cila ndërroi jetë disa orë më pas – kreu vetëvrasje pas rreth 10 orësh përpjekjesh nga Policia dhe forcat RENEA për ta bindur të dorëzohej. Sipas burimeve pranë hetimit, dëshmia e parë e së resë nuk ka ndriçuar ende arsyet që e shtynë 35-vjeçarin drejt këtij akti të rëndë.
Të njëjtat burime bëjnë me dije se Rozalinda Plaka, menjëherë pasi autori e la të lirë, ka përshkruar vetëm çfarë ndodhi brenda shtëpisë në mëngjesin e 24 korrikut. Në një gjendje të rëndë psikologjike, ajo ka rrëfyer se po flinte kur dëgjoi zhurma në banesë. Sapo u zgjua, pa Refit Buzin në dhomën e saj me një armë gjahu. “Më urdhëroi të hipja në makinë me të dhe ta ndiqja nga pas”, ka treguar ajo para hetuesve. 24-vjeçarja shtoi se në ato momente nuk e kishte të qartë se ç’kishte ndodhur në shtëpi. “Pashë vetëm tim atë të shtrirë në kuzhinë, ndërsa nënën nuk munda ta shihja”, mësohet të ketë deklaruar.
Të lidhura
None found
Lidhur me shkaqet e krimit, ndërprerjen e lidhjes me Refit Buzin, si dhe pretendimin e tij se i kishte besuar asaj 830 mijë paund nga Anglia për t’i ruajtur dhe se paratë nuk i ishin kthyer, e reja nuk ka dhënë asnjë shpjegim. Për këtë arsye, grupi hetimor pritet ta marrë përsëri në pyetje gjatë vijimit të hetimeve.
Ngjarja e rëndë u shënua në mëngjesin e 24 korrikut në fshatin Vidhisht të Roskovecit, ku mbeti i vrarë Kosta Plaka dhe u plagos rëndë bashkëshortja e tij, Belere Plaka, e cila humbi jetën pak orë më vonë. Autori 35-vjeçar Refit Buzi, pas gati 10 orësh negociatash, i dha fund jetës brenda automjetit të tij, duke mos pranuar të vetëdorëzohej.
