Zyrtari amerikan në Kosovë: Kush vepron jashtë dialogut përshkallëzon tensionet

I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Alexander Kasanof qëndroi dy ditë në Kosovë , ku përcolli mesazhin, se “veprimet e pakoordinuara të Qeverisë së Kosovës, i komplikojnë kapacitetet e SHBA-së për të mbështetur Kosovën”. “Në takimet e mia me presidenten dhe kryeministrin kam përsëritur dëshirën tonë për një partneritet më efektiv. Gjithashtu, jam shprehur i kënaqur me rifillimin e qarkullimit të mallrave nga Serbia në Kosovë dhe që Kosova ka arritur të marrë vendin e saj në CEFTA dhe në Procesin e Berlinit”, tha Kasanof. Zyrtari i lartë amerikan që për herë të parë viziton Kosovën dhe i cili pason në këtë detyrë, Gabriel Escobar, para ardhjes në Kosovë vizitoi edhe Sarajevën dhe Beogradin.

“SHBA-ja pret që Kosova dhe Serbia t’i përmbushin të gjitha angazhimet që kanë marrë përsipër në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, të ndërmjetësuar nga BE-ja, si dhe me marrëveshjet e arritura në kuadër të tij. Kjo përfshin edhe dërgimin e draft-statutit për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe në Kosovë për vlerësim në Gjykatën Kushtetuese të vendit”, tha Kasanof për një grup gazetarësh në Prishtinë.

 


Shtuar 12.10.2024 16:38