Zbulohet “çështja”, ja përse u thirr Albin Kurti nga Prokuroria Speciale

Qeveria e Kosovës ka njoftuar se Kryeministri Albin Kurti është thirrur nga Prokuroria Speciale e Kosovës për të dhënë dëshminë e tij më 16 dhjetor, por detajet rreth rastit për të cilin ai është ftuar nuk janë sqaruar ende nga autoritetet.

Burime të Radios Evropa e Lirë nga Prokuroria Speciale konfirmojnë se ftesa ka të bëjë me rastin e rezervave shtetërore, në të cilin është e përfshirë edhe ministrja Rozeta Hajdari. Ky rast ka të bëjë me dyshime për shpërdorim të fondeve shtetërore dhe është një hetim në vazhdim.

Njëkohësisht, personi i afërt me Albin Kurtin, Ridvan Muharremi, u arrestua më parë në lidhje me këtë çështje, por më vonë u lirua. Ai është intervistuar nga Prokuroria Speciale si i dyshuar në tetor të këtij viti.

Kryeministri Kurti, gjatë ditës së sotme është pyetur nga gazetarët lidhur me ftesën e Prokurorisë, por ai refuzoi të komentonte, duke thënë se ishte “me nxitim”. Ai pritet të paraqitet në Prokurorinë Speciale si dëshmitar në hetimet për këtë çështje.


Shtuar 12.12.2024 17:39

Tags: ,