Prej 1 korrik 2026, zyrtarët policorë të Policisë së Kosovës dhe Policisë së Shtetit Shqiptar kanë nisur patrullimet e përbashkëta në territorin e Republikës së Shqipërisë, në kuadër të bashkëpunimit ndërinstitucional mes dy institucioneve policore.
Kjo formë bashkëpunimi po zbatohet për sezonin turistik veror.
Të lidhura
None found
Në njoftimin e Policisë së Kosovës thuhet: “Ky angazhim i përbashkët synon forcimin e bashkëpunimit profesional, rritjen e sigurisë rrugore dhe ofrimin e një shërbimi sa më efikas për qytetarët dhe të gjithë përdoruesit e rrugëve, veçanërisht gjatë sezonit veror kur qarkullimi ndërmjet dy vendeve shënon rritje të konsiderueshme. Patrullimet realizohen në bashkëpunim dhe koordinim të ngushtë ndërmjet dy policive, duke reflektuar partneritetin e ndërtuar ndër vite dhe angazhimin e përbashkët për rritjen e sigurisë publike, parandalimin e aksidenteve në trafik dhe respektimin e rregullave të qarkullimit rrugor”.
Policia e Kosovës e çmon lart bashkëpunimin me Policinë e Shtetit Shqiptar dhe thekson se mbetet e angazhuar për zhvillimin e nismave të përbashkëta që ndikojnë në sigurinë e qytetarëve të të dyja vendeve.
Në njoftim thuhet gjithashtu: “Ftojmë të gjithë pjesëmarrësit në trafik që të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor, të tregojnë kujdes të shtuar gjatë udhëtimit dhe të kontribuojnë në krijimin e një ambienti sa më të sigurt për të gjithë”.
