Ujkani rrëfehet për “MARCA’, lufta dhe ëndrra për Kosovën

Kapiteni i Kosovës në futboll, Samir Ujkani, në një intervistë për mediumin e njohur spanjoll “Marca” ka rrëfyer për luftën me Serbinë dhe për përballjen me Spanjën në kualifikimet për Kampionatin Botëror “Katari 2022”.

Në këtë intervistë, një ditë para përballjes në Sevillë, Ujkani ka treguar se në vitin 1994 ishte larguar nga vendlindja për shkak të luftës me Serbinë.

“Jemi larguar drejt Belgjikës. U rrita aty dhe mund të zgjidhja të luaja për Belgjikën ose Shqipërinë. Zgjodha Shqipërinë sepse familja ime është shqiptare dhe Kosova nuk ekzistonte si përfaqësuese. I kam luajtur 20 ndeshje me Shqipërinë. Por të luaja për shtetin tim, ishte ëndërr. Andaj kur Kosova u bë e njohur si shtet menjëherë nisa procedurën për të ndërruar kombëtare. Isha i pari që bëra kështu edhe pse ishin veç miqësore”, ka treguar ai për “Marcan”.

Sipas tij, objektiv i ekipit përfaqësues të Kosovës është që t’i tregojë botës se populli i Kosovës është i mirë dhe t’ia tregojë traditat e vendit.

Ai ka treguar se ka humbur shumë familjarë në luftë, teksa ka falënderuar Belgjikën që u doli në ndihmë në kohën kur ishin duke ikur nga Kosova.

Se a i bën nervoz ndeshja në Sevillë, kundër një shteti që s’e njeh Kosovën, Ujkani ka thënë se “sporti është më i fuqishëm se politika”.

“Kundër Ukrainës, u desh të luanim në Poloni. Sporti hap dyer, bashkon shtete e popuj. Me të gjitha problemet që bota i ka, futbolli ka shërbyer si çlirim e argëtim”, ka thënë ai duke mos pranuar të flasë për raportet Spanjë-Kosovë. “Duhet të flasim për futboll, për jetën”.

Ai e ka cilësuar ndeshje historike përballjen me Spanjën.

“Besojmë se do të lëmë imazh të mirë”, ka deklaruar ai.

Ujkani ka thënë se për të arritur rezultat pozitiv në Spanjë Kosovës i duhet një mrekulli.

Kosova ka nisur kualifikimet me humbje 3:0 nga Suedia. Ndërkaq Spanja, nga dy ndeshje ka katër pikë. Ka barazuar me Greqinë e ka fituar ndaj Gjeorgjisë.


Shtuar 30.03.2021 11:10