Më 17 nëntor, Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë pritet të shpallin aktgjykimin për çështjen ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi dhe katër personave të tjerë, të akuzuar për vepra kundër administrimit të drejtësisë.
Të lidhura
None found
Ky proces është i ndarë nga gjykimi kryesor ndaj ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Në atë çështje, më 16 shtator, Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi u dënuan me gjithsej 81 vjet burgim për disa akuza për krime lufte. Aktgjykimi është i shkallës së parë, ndërsa mbrojtjet kanë bërë të ditur se do të paraqesin ankesa.
Rasti që lidhet me pengimin e drejtësisë ka të bëjë me pretendimet e prokurorisë se gjatë vitit 2023, kur Thaçi ishte në paraburgim në Hagë, janë bërë përpjekje për të ndikuar në dëshmitë e dëshmitarëve.
Dhomat e Specializuara kanë njoftuar se aktgjykimi do të shpallet në orën 10:00 nga gjyqtari i vetëm i çështjes, Charles L. Gosnell.
Përveç Thaçit, të akuzuar janë Bashkim Smakaj, ish-shef i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), Isni Kilaj, ish-kryetar i Malishevës, Fadil Fazliu dhe Hajredin Kuçi, ish-ministër i Drejtësisë. Të gjithë, pesë të akuzuarit, janë deklaruar të pafajshëm.
Në deklaratat përmbyllëse të mbajtura në shtator, Zyra e Prokurorit të Specializuar kërkoi gjashtë vjet burg për Thaçin. Për Smakajn, Kilajn dhe Fazliun kërkoi nga tri vjet, ndërsa për Kuçin nëntë muaj. Mbrojtja e Thaçit, nga ana e saj, kërkoi që ai të lirohet, duke thënë se nuk ka prova të mjaftueshme për dënimin e kërkuar.

Njohës të drejtësisë, në prononcime për “Bota sot”, kanë komentuar vendimin e pritshëm. Ata vlerësojnë se e vërteta duhet të zbardhet dhe drejtësia të vihet në vend, ndërsa prokuroria do të paraqesë kërkesat për dënime që i sheh të përshtatshme.
“Askush nuk duhet të jetë mbi drejtësinë”
Avokati Gazmend Halilaj deklaron se e mbështet Gjykatën Speciale. Ai thotë se historia e dhimbshme e Kosovës e bën të rëndësishme që çdo pretendim të shqyrtohet me seriozitet dhe se askush nuk duhet të jetë mbi ligjin, cilado qoftë pozita apo kontributi i tij.
“Për drejtësi, për të vërtetën dhe për një shtet ku askush nuk është mbi ligjin! Unë e përkrah Gjykatën Speciale, sepse besoj se drejtësia duhet të vihet në vend dhe e vërteta duhet të zbardhet, pavarësisht se për kë bëhet fjalë. Për mua, kjo nuk është çështje inati, hakmarrjeje apo bindjeje politike, por çështje parimi, përgjegjësie dhe respekti për drejtësinë. Kosova ka kaluar një histori të dhimbshme dhe populli ynë e di më së miri se sa e rëndësishme është e vërteta. Prandaj, çdo pretendim duhet të shqyrtohet me seriozitet, çdo provë duhet të vlerësohet me paanshmëri dhe çdo vendim duhet të mbështetet në ligj. Askush nuk duhet të jetë mbi drejtësinë, pavarësisht pozitës që ka pasur apo kontributit që mund të ketë dhënë”, shprehet Halilaj për “Bota sot”.
Halilaj nënvizon se mbështetja për Gjykatën Speciale nuk nënkupton paragjykim, por kërkesë që drejtësia të kryejë punën e saj. Sipas tij, nuk mund të kërkohet zbatimi i drejtësisë për një person dhe të kundërshtohet për një tjetër.
“Si përkrahës i Lëvizjes Vetëvendosje, besoj në shtetin e së drejtës, në barazinë para ligjit dhe në përgjegjësinë e institucioneve. Përkrahja e Gjykatës Speciale nuk do të thotë të paragjykojmë askënd, por të kërkojmë që drejtësia të bëjë punën e saj dhe që fajësia apo pafajësia të përcaktohet vetëm mbi bazën e provave dhe standardeve ligjore. Nuk mund të kërkojmë drejtësi për njërin dhe ta kundërshtojmë atë për tjetrin. Nuk mund të kërkojmë që ligji të vlejë për qytetarët e zakonshëm, ndërsa për njerëzit me pushtet të ketë përjashtime”, thekson avokati.
Ai shton se proceset gjyqësore, edhe kur janë politikisht të ndjeshme, duhet të trajtohen sipas parimeve të shtetit ligjor. Për Halilajn, drejtësia duhet të mbështetet në ligj dhe prova, jo në emocione, trysni politike apo interesa partiake.
“Nëse duam një Kosovë me institucione të forta dhe me besim te drejtësia, atëherë duhet të jemi të gatshëm t’i respektojmë parimet e shtetit ligjor edhe kur proceset gjyqësore janë të ndjeshme politikisht. Përkrahja ime për Gjykatën Speciale është përkrahje për parimin se e vërteta duhet të dalë në shesh, se viktimat meritojnë drejtësi dhe se çdo i akuzuar ka të drejtën e një gjykimi të drejtë. Drejtësia nuk duhet të udhëhiqet nga emocionet, presionet politike apo interesat partiake, por nga provat, ligji dhe paanshmëria. Drejtësia nuk është kundër askujt që është i pafajshëm. Drejtësia është në shërbim të së vërtetës dhe përgjegjësisë. Kosova ka nevojë për drejtësi të barabartë për të gjithë, pa dallim emri, pozite apo partie. Ligji mbi të gjithë, privilegje për askënd!”, përfundon Halilaj për “Bota sot”.
Dënim apo lirim nga aktakuza?

Juristi Blerim Burjani thotë se vendimi do të përcaktohet nga mënyra se si trupi gjykues do t’i vlerësojë provat dhe argumentet e të dyja palëve. Sipas tij, prokuroria do të paraqesë kërkesat e veta, por vendimi u takon gjyqtarëve.
Burjani thotë se do të ishte e dëshirueshme që të akuzuarit të shpalleshin të pafajshëm. Megjithatë, duke iu referuar asaj që e përshkruan si prirje të dënimeve të kësaj gjykate, ai nuk e përjashton që Thaçi të marrë edhe një dënim me burg në këtë proces.
“Prokuroria do ta bëjë punën e vet, ashtu siç e ka bërë deri më tani, dhe do t’i kërkojë dënimet që i konsideron të përshtatshme. Por, në anën tjetër, faktet dhe argumentet do të vlerësohen nga paneli gjyqësor. Do të ishte mirë që aktgjykimi të ishte i pafajësisë, por, duke ndjekur trendin e dënimeve të kësaj gjykate, mund të ndodhë që Thaçi të dënohet me rreth tre vjet burgim për ndërhyrje apo pengim të drejtësisë, ndërsa të akuzuarit e tjerë të marrin dënime më të ulëta. Pra, nuk mund të përjashtohet mundësia që Thaçi të mos i shpëtojë një dënimi edhe në këtë rast”, ka deklaruar Burjani për “Bota sot”.
Burjani rikujton se të akuzuarit mund të përdorin mekanizmat juridikë të brendshëm të Dhomave të Specializuara për të mbrojtur të drejtat e tyre dhe për të kundërshtuar vendimet e mundshme.
Sipas tij, këto të drejta duhet të mbrohen përmes procedurave ligjore që parashikon gjykata, ndërsa përgjegjësinë penale përfundimisht e vlerësojnë gjyqtarët e çështjes.




