“Secili kriminel të ballafaqohet me veprat që ka kryer”, Osmani: Gjurmët e dhunës seksuale të kryera nga ushtria serbe vazhdojnë të rëndojnë jetën e qytetarëve

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë të dielën se gjurmët e krimeve të dhunës seksuale, të kryera nga ushtria e policia serbe në luftën e fundit në Kosovë, vazhdojnë të rëndojnë edhe sot jetën e qytetarëve, edhe 25 vjet pas luftës.

Ajo i ka bërë këto deklarata më 14 prill, datë në të cilën Kosova përkujton të mbijetuarit e dhunës seksuale nga koha e luftës.

Ajo ka thënë se në ditë si kjo, të gjithë qytetarët e Kosovës reflektojnë mbi vuajtjet dhe shprehin solidaritetin me të gjithë ata që kanë përjetuar këtë “tragjedi njerëzore”.

“Shënimi i 14 prillit është më shumë sesa thirrje për drejtësi. Është një deklaratë e fortë e solidaritetit ndërnjerëzor me të mbijetuarat dhe të mbijetuarit, si dhe një kujtim i përhershëm i forcës, guximit dhe rezistencës së tyre në ballafaqim me dhunën”.

Numri i saktë i personave të dhunuar gjatë luftës së fundit në Kosovë, nuk dihet. Sipas një raporti të Qendrës Amerikane për Kontrollimin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, kjo shifër arrin deri në 20 mijë.

Por, sipas të dhënave nga nëntori i vitit të kaluar, vetëm gati 2.000 persona kanë aplikuar për ta marrë statusin e personit të dhunuar gjatë luftës në Kosovë. Prej tyre, statusi u është aprovuar rreth 1.600 personave.

Verifikimi i dëshmive të personave që duan ta marrin këtë status – gjatë periudhës nga 27 shkurti i vitit 1998 e deri më 20 qershor të vitit 1999 – bëhet nga Komisioni qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të personave të dhunuar gjatë luftës në Kosovë.

Osmani ka bërë thirrje që secili kriminel të ballafaqohet me veprat që ka kryer.

“Forca e të mbijetuarve të dhunës seksuale në luftën e Kosovës është burim frymëzimi për të gjithë ne. Ata kanë shfaqur rezistencë dhe vullnet të pashoq për të luftuar për drejtësi, pavarësisht vuajtjeve të jashtëzakonshme”.

Ajo ka paralajmëruar se tema kryesore e edicionit të dytë të Forumit Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, do të jetë çështja e dhunës seksuale në kohë lufte.

Ajo ka thënë se më 15 prill në Prishtinë do të mblidhen personalitete nga 40 shtete të botës për diskutuar për fuqizimin e rolit të grave në të gjithë sferat e jetës.

“Përveç trajtimit të pasojave të luftës, ndërtimit të sistemeve për të mbështetur të mbijetuarit, fuqizimin e rolit të grave në proceset e dialogut, në forum do të diskutohet edhe siguria klimatike”.

Përveç Osmanit, edhe dy gra të Kosovës, të mbijetuara të dhunës seksuale, kanë folur për rëndësinë e mbështetjes së viktimave të dhunës seksuale.

Vasfije Krasaniqi ka rrëfyer për dhunimin që ka përjetuar 25 vjet më parë, dhe lutjet që ua ka bërë forcave serbe që ta vrasin, por që ata nuk kanë pranuar, me arsyetimin se “kështu do të vuash më shumë”.

“Fjalia e dytë ishte ‘mos i trego askujt çfarë të kemi bërë sepse do të vijmë prapë’”.

Shyhrete Sylejmani, e mbijetuara tjetër e dhunës seksuale, ka bërë thirrje që të gjithë të dëgjojnë të mbijetuarit e luftës dhe të përhapin të vërtetat e tyre.

“Muaji prill i vitit 1999 ndryshoi rrënjësisht jetën time dhe të mijëra të mbijetuarve tjerë. Për 20 vite e kam ndjerë të nevojshme të mbuloj në heshtje të vërtetën e dhimbshme, por të harrosh vuajtjet ka qenë e vështirë dhe t’i kujtosh ato edhe më rëndë”.

Gjatë luftës në Kosovë janë vrarë rreth 13.000 njerëz, ndërsa janë zhdukur rreth 6.000, prej të cilëve rreth 1.600 janë ende të pagjetur.

Qindra trupa të shqiptarëve të vrarë të Kosovës janë gjetur në varrezat masive në Serbi./rel


Shtuar 14.04.2024 19:00