Përplasjet në LDK shtojnë pasigurinë për institucionet, analistët nuk e shohin të mbyllur dialogun me LVV-në

Paqartësitë rreth tejkalimit të ngërçit politik në Kosovë janë shtuar pasi kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, vendosi të ndërpresë përkohësisht angazhimin në formimin e institucioneve. Ky veprim pasoi nismën për largimin e tij nga drejtimi i partisë.

Të lidhura

None found

Kontaktet ndërmjet Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosje kishin nxitur shpresa për arritjen e një kompromisi politik dhe për përshpejtimin e ngritjes së institucioneve të reja. Megjithatë, negociatat u pezulluan pikërisht në këtë fazë.

Situata ka ngritur pikëpyetje nëse bisedimet LVV-LDK mund të rikthehen dhe se në çfarë mase përplasjet brenda LDK-së do ta ndikojnë procesin e institucionalizimit. Njohësit e politikës thonë se zhvillimet e brendshme në këtë parti po pasqyrohen drejtpërdrejt në ecurinë e negociatave dhe po e vështirësojnë gjetjen e një marrëveshjeje.

Sipas tyre, një subjekt që nuk ka stabilitet të brendshëm e ka më të kufizuar mundësinë për të marrë vendime strategjike. Në të njëjtën kohë, vonesat në formimin e institucioneve po bëhen gjithnjë e më shqetësuese. Pavarësisht kësaj, analistët vlerësojnë se dialogu mund të rifillojë pasi të sqarohet gjendja në LDK dhe brenda partisë të arrihet një qëndrim i përbashkët.

Ata paralajmërojnë se vazhdimi i krizës mund të prodhojë pasoja që nuk kufizohen vetëm te LDK-ja, por që prekin edhe ritmin e krijimit të institucioneve dhe qëndrueshmërinë politike të Kosovës.

“Bota sot” ka kërkuar komente nga deputetë dhe zyrtarë të të dyja partive, por asnjëri prej tyre nuk është deklaruar për këtë çështje.

Kriza në LDK po reflektohet në ngritjen e institucioneve, ndërsa dialogu me LVV-në mund të kthehet pas unifikimit të qëndrimeve

Image

Njohësi i zhvillimeve politike, Nijazi Halili, e konsideron pezullimin e angazhimeve të Lumir Abdixhikut në procesin e formimit të institucioneve si një zhvillim me ndikim të drejtpërdrejtë në skenën politike të Kosovës.

Halili thotë për “Bota sot” se vendimi erdhi në një periudhë kur kontaktet mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës po jepnin sinjale për afrim të qëndrimeve dhe mundësi kompromisi. Sipas tij, situata e re ka krijuar pasiguri dhe e ka ngadalësuar ngritjen e institucioneve të reja.

Ai vlerëson se një drejtues, legjitimiteti i të cilit sfidohet brenda partisë, e ka të vështirë të vendosë për çështje strategjike që lidhen me të ardhmen e subjektit.

Sipas Halilit, çdo marrëveshje e mundshme me një forcë tjetër politike duhet të sigurojë përkrahjen e strukturave partiake dhe një konsensus të gjerë të brendshëm. Për këtë arsye, ai e sheh pezullimin e negociatave edhe si përpjekje për të mos marrë vendime të rëndësishme për sa kohë që gjendja në LDK mbetet e pasqaruar.

Pavarësisht zhvillimeve të fundit, Halili nuk mendon se është mbyllur përfundimisht rruga për bashkëpunim ndërmjet LVV-së dhe LDK-së.

Ai argumenton se politika ndryshon vazhdimisht dhe se palët zakonisht kthehen në tryezën e dialogut kur ekziston interes për stabilitet institucional dhe funksionim të shtetit. Nëse LDK-ja e kapërcen krizën e brendshme dhe i harmonizon qëndrimet, sipas tij, negociatat mund të rinisin mbi baza politike më të qarta.

Duke analizuar efektet e përplasjeve brenda LDK-së, Halili paralajmëron se pasojat e një krize të zgjatur mund të shkojnë përtej vetë këtij subjekti dhe të përfshijnë të gjithë procesin institucional të vendit.

Ai thotë se një situatë e tillë mund të ndryshojë raportet ndërmjet forcave politike, të shtyjë afatet për ngritjen e institucioneve dhe të hapë mundësi për skenarë të rinj politikë.

Në përfundim, Halili kërkon që të gjitha partitë parlamentare ta vendosin theksin te bisedimet, kompromisi dhe interesi shtetëror.

Sipas tij, qytetarët presin institucione që funksionojnë dhe jo vazhdim të krizave politike. Zhvillimet në LDK, siç vlerëson Halili, do të jenë përcaktuese jo vetëm për perspektivën e kësaj partie, por edhe për shpejtësinë e formimit të institucioneve të reja dhe stabilitetin politik të Kosovës gjatë muajve të ardhshëm.

Mungesa e qasjes serioze nga partitë po vonon institucionet, ndërsa trazirat në LDK rrezikojnë ta rëndojnë bllokadën

Profesori dhe analisti politik Nexhat Bexheti thotë se zvarritja e formimit të institucioneve të Republikës së Kosovës nuk është diçka e re, por tashmë ka arritur përmasa shqetësuese.

Në vlerësimin e tij, ngërçi institucional është kthyer në një “Odisejadë” politike dhe po shfaqet si një sëmundje kronike e politikës kosovare, ndërsa mungesa e zgjidhjeve po e përkeqëson vazhdimisht situatën.

Bexheti kujton se në krizat e mëparshme, angazhimi dhe trysnia e faktorit ndërkombëtar kishin ndihmuar në gjetjen e rrugëdaljes politike.

Image

Ai deklaron për “Bota sot” se presioni nga jashtë jepte rezultate në kohën kur faktorët ndërkombëtarë paraqisnin sugjerime të qarta për afatet e krijimit të institucioneve. Tani, sipas tij, duket se mënyra e zgjidhjes u është lënë vetë partive politike dhe pasojat e kësaj qasjeje tashmë po bëhen të dukshme.

Sa i përket negociatave, Bexheti thekson se barra kryesore për formimin e institucioneve bie mbi fituesen e zgjedhjeve, Lëvizjen Vetëvendosje, dhe mbi mandatarin për kryeministër, Albin Kurti.

Ai thotë se Kurti i ka nisur takimet me subjektet parlamentare, por duhet t’i trajtojë këto bisedime me kujdes, pasi brenda partive mungon serioziteti i nevojshëm për të mbërritur te një marrëveshje.

Sipas Bexhetit, ndërprerja e përkohshme e bisedimeve nga LDK-ja tregoi se problemet e saj të brendshme po ushtrojnë ndikim të drejtpërdrejtë mbi procesin politik.

Ai kujton se takimet e para me LDK-në krijuan përshtypjen se një marrëveshje për institucionet ishte e mundur, por kjo pritshmëri zgjati pak. Bisedimet u pezulluan nga Lumir Abdixhiku pasi brenda partisë dolën kundërshtime dhe legjitimiteti i tij si kryetar u vu në pikëpyetje. Për rrjedhojë, sipas Bexhetit, Albin Kurti duhet të nisë një raund tjetër negociatash.

Bexheti mendon se prirja e Kurtit për të bashkëpunuar me LDK-në lidhet gjithashtu me mënyrën se si perceptohen kuadrot e kësaj partie.

Sipas tij, Albin Kurti ka treguar simpati ndaj LDK-së, duke menduar se në radhët e saj mund të gjejë figura më pak të ekspozuara ndaj aferave korruptive. Bexheti vlerëson se kjo do ta ndihmonte Kurtin të ndërtonte një qeveri me imazh të pastër.

Profesori shton se procesi i dialogut nuk duhet të përfshijë vetëm subjektet shqiptare.

Ai thotë se Kurti duhet të bisedojë edhe me Listën Serbe, me qëllim që të shmangen pakënaqësitë e komunitetit serb dhe të fuqizohet përfshirja e tij në institucionet e Kosovës. Krahas kësaj, sipas Bexhetit, komunikimi duhet të mbetet i hapur edhe me partitë e tjera parlamentare.

Në fund, Bexheti tërheq vëmendjen se kriza e LDK-së mund të sjellë pasoja të konsiderueshme politike.

Ai vlerëson se LDK-ja mund të ndahet në dy fraksione, për shkak të qëndrimeve të kundërta brenda saj ndaj politikës së Lumir Abdixhikut. Sipas tij, konfliktet dhe inatet në kryesi mund ta dëmtojnë më tej subjektin dhe t’ia zvogëlojnë mbështetjen, e cila tashmë gjendet në një pikë kritike.


Shtuar 23.07.2026 12:13

matbetmatbetcasibomjojobetjojobetcasibomcasibomcasibomşanlıurfa konteynerBetpasPusulabet girişbetciobetcio girişİmajbetGrandpashabetGrandpashabetGrandpashabetGrandpashabetJojobetStarzJojobetStarzbetjojobet güncel girişkingroyalgrandpashabetgrandpashabetganobetcasibombetciojojobetgrandpashabet girişcasibom