Përdhunuan për një vit të miturën në Kosovë, dënohen me 62 vite burg 6 personat e akuzuar

Një gjykatë në Prishtinë dënoi të martën me gjithsej 62 vjet heqje lirie gjashtë persona për përdhunimin e një të miture në vitin 2022, ndërsa dy nga të akuzuarit janë liruar.

Të gjithë ishin akuzuar në dhjetor të vitit 2022 nën dyshimin për përfshirje në përdhunimin e një 11 vjeçareje në qershor të vitit 2022 në Prishtinë.

Ngjarja e denoncuar nga familja e viktimës dy vjet më parë, kishte nxitur reagime të ashpra të institucioneve dhe organizatave për mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Fillimisht autoritetet thanë se e mitura ishte përdhunuar në gusht të vitit 2022 në një park në Prishtinë, por hollësitë e paraqitura më vonë treguan se ndaj të miturës janë kryer disa raste të përdhunimit në një periudhë mbi një vjeçare.

Publikimi i këtij rasti u pasua me protesta të njëpasnjëshme në Kosovë mes shqetësimeve për shkallën e ultë të sigurisë së grave e vajzave në vend dhe trajtimin rasteve të dhunës ndaj tyre nga autoritetet. Ngjarja bëri që drejtori i atëhershëm i policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti dhe shefi i drejtorisë për trajtimin e të burgosurve dhe të miturve, Ali Gashi, të japin dorëheqje.


Shtuar 23.04.2024 13:11