Vdekja e Ratko Mlladiqit ka rikthyer në debat figurën e ish-komandantit të Ushtrisë së Republikës Srpska, ndërsa deklaratat e zyrtarëve serbë kanë ushqyer përpjekjet për ta paraqitur atë si hero kombëtar. Kjo ndodh pavarësisht se Mlladiqi u dënua me burgim të përjetshëm për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte.
Të lidhura
None found
Qëndrimet e shprehura pas vdekjes së tij kanë hapur diskutime të reja për mënyrën se si Serbia po e trajton trashëgiminë e Mlladiqit dhe për përpjekjet për ta larguar atë nga përgjegjësia për krimet e kryera gjatë luftës në Bosnje e Hercegovinë.
Pyetja që ngrihet është nëse ndarja nga jeta po përdoret për të forcuar narrativat nacionaliste dhe për ta zhvendosur Mlladiqin nga pozita e një personi të dënuar penalisht drejt një miti politik e kombëtar. Ekspertët paralajmërojnë se nderimi i një figure të dënuar për gjenocid nuk lidhet vetëm me të kaluarën, por mund të ndikojë edhe në të ardhmen, veçanërisht te brezat e rinj.
Për këtë çështje, për gazetën “Bota sot” kanë dhënë vlerësimet e tyre eksperti i sigurisë Drizan Shala dhe ish-hetuesi Agim Rexhepi.

Shala: Beogradi po përpiqet ta lidhë Mlladiqin me traditën ushtarake serbe
Drizan Shala thotë se deklaratat e zyrtarëve serbë nuk duhen parë si qëndrime të izoluara personale. Sipas ekspertit të sigurisë, ato pasqyrojnë mënyrën se si Beogradi po përpiqet ta vendosë figurën e Mlladiqit në raport me shtetin serb.
Shala i referohet deklaratës së ministrit të Drejtësisë së Serbisë, Nenad Vujiç, i cili e quajti Mlladiqin “gjeneral” dhe përmendi protokollet që lidhen me këtë status. Sipas tij, një qëndrim i tillë rikthen në vëmendje lidhjet ndërmjet Mlladiqit, Ushtrisë së Republikës Srpska dhe strukturave shtetërore të Serbisë.
“Fakti që ministri i Drejtësisë së Serbisë e quan Mlladiqin gjeneral dhe flet për protokollet përkatëse nuk duhet trajtuar si çështje thjesht ceremoniale. Kjo tregon përpjekjen për ta vendosur atë sërish në origjinën ushtarake të Serbisë dhe për ta paraqitur si pjesë të historisë së saj ushtarake. Për një kohë të gjatë, sa herë që përgjegjësia për luftën në Bosnje lidhej me Beogradin, ruhej një dallim ndërmjet Ushtrisë së Republikës Srpska dhe Ushtrisë së Serbisë. Mlladiqi drejtonte të parën, ndërsa Serbia përpiqej të mos identifikohej me veprimet e saj. Por kur bëhet fjalë për nderimin dhe prestigjin e tij, ky dallim po venitet”, deklaron Shala për “Bota sot”.
Ai vlerëson se kjo situatë përbën një paradoks që duhet analizuar, pasi përgjegjësia e Mlladiqit nuk mund të ndahet nga krimet për të cilat është dënuar nga drejtësia ndërkombëtare.
“Historia e Mlladiqit është e pandashme nga gjenocidi në Srebrenicë, terrori i ushtruar ndaj civilëve në Sarajevë, përndjekjet dhe krimet e tjera për të cilat ai është dënuar. Forcat që ai komandonte kryen krime të dokumentuara dhe të konfirmuara nga gjykatat ndërkombëtare. Për këtë arsye, rikthimi i tij nga një zyrtar i lartë serb në rolin e ‘gjeneralit’, i shoqëruar me referenca ndaj protokolleve shtetërore, nuk mund të konsiderohet vetëm një akt ceremonial. Ai ngre pikëpyetje për mënyrën se si Serbia po e trajton trashëgiminë e tij”, thekson ai.
Sipas Shalës, rasti duhet parë brenda kuadrit më të gjerë të narrativave nacionaliste që vazhdojnë të ndikojnë në rajon.
“Çështja nuk lidhet vetëm me mënyrën se si po trajtohet një person pas vdekjes, por me mesazhin që i përcillet shoqërisë. Nëse një njeri i dënuar për gjenocid paraqitet si figurë që duhet nderuar, atëherë po tentohet të ndryshohet perceptimi për krimet e tij. Përgjegjësia individuale rrezikon të zëvendësohet me mitin e heroit kombëtar. Ky është një rrezik i madh në një rajon ku plagët e luftës nuk janë shëruar plotësisht dhe ku narrativat nacionaliste vazhdojnë të kenë peshë”, shprehet Shala.

Rexhepi: Nderimi i Mlladiqit legjitimon ideologjinë që çoi në gjenocid
Ish-hetuesi Agim Rexhepi nënvizon se vdekja e Ratko Mlladiqit nuk prek as përgjegjësinë e tij penale, as faktet e përcaktuara nga drejtësia ndërkombëtare. Për të, shqetësimi kryesor qëndron te përpjekja për ta shndërruar një person të dënuar për gjenocid në simbol të nacionalizmit serb.
“Vdekja e Ratko Mlladiqit nuk e ndryshon as historinë, as vendimin e gjykatës. Përkundrazi, vendosja e figurës së tij sërish në qendër të narrativave nacionaliste tregon se beteja për të vërtetën historike dhe kujtesën e viktimave vazhdon. Mlladiqi nuk ishte vetëm një komandant ushtarak i një konflikti të kaluar. Ai u dënua me burgim të përjetshëm për gjenocid në Srebrenicë, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte. Prandaj, përpjekja për ta kthyer nga i dënuar për gjenocid në ‘hero kombëtar’ nuk është thjesht një këndvështrim alternativ, por një tentativë për ta përmbysur kuptimin e historisë”, deklaron Rexhepi për “Bota sot”.
Rexhepi thotë se një narrativë e tillë e largon vëmendjen nga krimet konkrete dhe e zhvendos atë te pretendimet për “mbrojtjen e kombit”.
“Kur një kriminel lufte paraqitet si hero, viktimat trajtohen si pengesë për rrëfimin historik. Ky është një zhvillim tejet i rrezikshëm. Glorifikimi i Ratko Mlladiqit nënkupton glorifikimin e ideologjisë që prodhoi gjenocid. Vrasjet masive, dëbimet, terrori dhe krimet synohet të relativizohen duke u paraqitur si pjesë e një lufte për mbrojtjen e kombit. Por një komb nuk mbrohet përmes vrasjes së civilëve dhe patriotizmi nuk mund të përdoret si arsyetim për krime kundër njerëzimit”, shprehet ai.
Sipas ish-hetuesit, pasojat më të mëdha mund të shfaqen te brezat e rinj, të cilët mund të ndikohen nga përsëritja e këtyre mesazheve.
“Rreziku nuk kufizohet te grupet ekstremiste që mund ta nderojnë një figurë të tillë. Shqetësimi kryesor është që propaganda, e përsëritur vazhdimisht, ta bëjë një brez të ri ta shohë Mlladiqin jo si autor të krimeve të dokumentuara, por si mbrojtës të kombit. Falsifikimi i historisë shpesh nuk ndodh përmes mohimit të menjëhershëm të gjithçkaje, por përmes relativizimit gradual. Nëse të rinjtë mësohen ta perceptojnë si hero një person të dënuar për gjenocid, atëherë çështja nuk mbetet më vetëm te e kaluara, por ndikon edhe në mënyrën se si mund të kuptohen konfliktet dhe dhuna në të ardhmen”, thotë Rexhepi.
Në përfundim, Rexhepi thekson se Serbia dhe shoqëritë e rajonit duhet ta përballojnë të kaluarën pa romantizim dhe pa përdorur standarde të dyfishta.
“Pajtimi i qëndrueshëm nuk mund të ndërtohet pa të vërtetën, ndërsa paqja e qëndrueshme kërkon drejtësi. Po ashtu, një e ardhme evropiane nuk mund të ndërtohet duke nderuar persona të dënuar për gjenocid. Mlladiqi ka vdekur, por ideologjia që e vendosi në piedestal nuk zhduket vetvetiu. Ajo mund të mposhtet vetëm përmes së vërtetës, arsimit, drejtësisë, kujtesës dhe refuzimit të çdo përpjekjeje për ta paraqitur gjenocidin si heroizëm”, përfundon Rexhepi për “Bota sot”.
