Një shqiptare mes të plagosurve nga sulmi me armë në shkollën fillore në Finlandë

Një vajzë shqiptare nga Kosova ka mbetur e plagosur pas një sulmi me armë që u bë në një shkollë në Finlandë.

Ka qenë Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës e cila ka konfirmuar se një nga dy personat e plagosur gjatë sulmit me armë është vajza nga Kosova.

Ministria e Jashtme e Kosovës shprehet se përmes ambasadës së Kosovës në Stokholm është në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet finlandeze dhe me familjen e vajzës së plagosur.

Njoftimi:

Në lidhje me ngjarjen tragjike që ndodhi sot në qytetin Vanta, respektivisht shkollën Viertola, ku u vra një person dhe dy të tjerë u plagosën, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës nëpërmjet Ambasadës së Republikës së Kosovës në Stokholm ka arritur që të konfirmojë nga familjarët se në mesin e të plagosurve është edhe një vajzë shqiptare nga Kosova.

Këtë të martë, një nxënës 12-vjeçar në një shkollë në Finlandë ka vrarë një fëmijë dhe ka plagosur dy të tjerë. Mes dy të plagosurve është edhe vajza nga Kosova. Reuters ka raportuar se gjendja e të plagosurve nga ky sulm paraqitet e rëndë.


Shtuar 2.04.2024 20:19