Nga vendet e Amerikës Latine drejt Kosovës: Rrugët e trafikimit të grave për shfrytëzim seksual

Qyteti përzgjidhet brenda pak sekondash, ndërsa kërkimi mund të filtrohet më tej sipas kombësisë, moshës, gjatësisë, peshës, ngjyrës së flokëve e syve dhe madje edhe preferencave seksuale.

Të lidhura

None found

Me vetëm një klikim, përdoruesit i paraqiten në ekran dhjetëra profile grash që reklamojnë shërbime eskorte në Kosovë.

Megjithatë, autoritetet kosovare thonë se pas disa prej këtyre llogarive mund të mos qëndrojnë gra që e bëjnë këtë me vullnet të lirë, por viktima të trafikimit me qenie njerëzore.

Radio Evropa e Lirë identifikoi një numër të madh profilesh të grave nga shtetet e Amerikës Latine në një platformë që edhe Policia e Kosovës e ka evidentuar për shitjen e shërbimeve seksuale.

Platforma, e cila operon në mbarë Evropën, pretendon se disa prej këtyre profileve janë verifikuar prej saj.

Zana Sadiku-Sertolli nga Prokuroria Themelore në Prishtinë shpjegon për Radion Evropa e Lirë se personat që sillen nga jashtë, veçanërisht nga vendet e Amerikës Latine, rekrutohen përmes kontratave të rregullta.

“Ato që rekrutohen nga jashtë, sidomos nga shtetet e Amerikës Latine, rekrutohen me kontrata të rregullta. Paraqiten si punëtore të rregullta në Kosovë, me lejeqëndrim dhe pajisen me kontratë pune”, thotë ajo.

Sipas Sadiku-Sertollit, e cila shërben si koordinatore për veprat penale të trafikimit me qenie njerëzore, kjo mënyrë organizimi dhe rekrutimi ua ka bërë më të vështirë autoriteteve ndjekjen penale të rasteve.

Ministrisë së Punëve të Brendshme, institucioni përgjegjës për pajisjen e shtetasve të huaj me leje pune dhe lejeqëndrime, REL-i i kërkoi sqarime për strategjitë dhe politikat kundër këtij fenomeni. Përgjigje nuk pati as pas tri javësh.

Pyetje iu dërguan edhe Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare lidhur me platformën e eskortave, përkatësisht nëse ishte paraqitur ndonjë kërkesë që qasja në këtë ueb-faqe të bllokohej në Kosovë. As ARKEP-i nuk u përgjigj.

Në raste të mëparshme, ARKEP-i ka urdhëruar operatorët mobilë dhe ofruesit e internetit që t’i bllokonin faqet e mediave ruse të sanksionuara në Kosovë. Në anën tjetër, në Kosovë vazhdojnë të jenë të qasshme shumë platforma të basteve online që operojnë nga jashtë vendit, ndonëse shërbimet e tyre bien ndesh me ligjin.

Policia e Kosovës i tha REL-it se po i mbikëqyr ueb-faqet e dyshimta, përfshirë edhe platformën ku figurojnë gra nga Amerika Latine, por theksoi se “në këtë fazë nuk mund të ofrojmë informata të tjera”.

Në një raport të publikuar vitin e kaluar, Policia vlerëson se Kosova “vazhdon të mbetet vend i origjinës, transitit dhe destinacionit për viktimat e trafikimit”. Në dokument përmendet si formë e re edhe ofrimi i shërbimeve seksuale nëpërmjet faqeve online të eskortave.

Raporti thekson se viktimat zakonisht janë nga 18 deri në 30 vjeç dhe mbërrijnë në mënyrë të organizuar nga vende si Brazili, Venezuela, Kolumbia dhe Peruja.

Në vitin 2024, në Prishtinë u arrestua pikërisht një shtetase e Perusë, nën dyshimin se ishte një nga organizatoret e këtij rrjeti trafikantësh.

REL-i iu drejtua Prokurorisë Speciale për më shumë hollësi rreth vazhdimit të procedurave në këtë rast, por nuk mori përgjigje.

Disa muaj më parë, Kallxo.com raportoi se kishte siguruar një pjesë të dosjes hetimore. Sipas asaj pjese të dosjes, dyshohet se organizatorët ua merrnin vajzave të trafikuara më shumë se 50 për qind të fitimeve dhe i rrihnin nëse ato nuk u bindeshin udhëzimeve.

Raste të lidhura me të njëjtën platformë janë identifikuar edhe në Bosnje e Hercegovinë. Zyra e Prokurorëve atje i tha REL-it se, gjatë viteve 2025 dhe 2026, janë evidentuar disa shtetase braziliane që ishin shfrytëzuar seksualisht.

Sipas kësaj zyre, transporti dhe strehimi i viktimave siguroheshin nga një grup i organizuar kriminal, ndërsa të ardhurat u transferoheshin organizatorëve nëpërmjet kriptovalutave. Në procesin hetimor janë përfshirë autoritetet braziliane, Europol-i dhe Interpol-i.

Në Kosovë, bashkëpunimi juridik me shtetet prej nga vijnë viktimat është treguar më i ndërlikuar kur vendi nuk ka marrëdhënie diplomatike me shtetin e origjinës, sipas prokurores Sadiku-Sertolli.

“Ka shtete që nuk e njohin Kosovën dhe duhet të ekzistojë një marrëveshje bilaterale me shtetin ku e ka origjinën ajo viktimë, pasi që duhet të vlerësohet se a do të ishte e sigurt viktima që të kthehej atje [ose jo]”, thotë ajo.

Megjithatë, Sadiku-Sertolli shton se kjo pengesë zakonisht tejkalohet përmes Zyrës për bashkëpunim juridik ndërkombëtar, e cila funksionon në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë.

Trafikimi i grave për shfrytëzim seksual nuk është dukuri e kufizuar vetëm në Ballkanin Perëndimor.

Europol-i, agjencia policore e Bashkimit Evropian, thotë se trafikimi për qëllime të shfrytëzimit seksual, përfshirë rastet me gra nga Amerika Latine, zhvillohet përmes rrjeteve kriminale që shtrihen në disa kontinente.

Në qershor të këtij viti, Europol-i, Interpol-i, Frontex-i dhe Ameripol-i bashkërenduan një operacion ndërkombëtar kundër trafikimit me qenie njerëzore. Në të morën pjesë edhe autoritetet e Kosovës.

Nga ky operacion rezultuan më shumë se 1.000 arrestime, si dhe identifikimi i një numri të madh viktimash me origjinë nga Amerika Latine.

“Gjatë fazës operative, vendet pjesëmarrëse kryen veprime të synuara për zbatimin e ligjit, duke përfshirë kontrolle të përforcuara në pikat e nxehta, si kufijtë dhe aeroportet, si dhe hetime proaktive për rastet në vazhdim, që kërkojnë bashkëpunim operativ të nivelit të lartë”, deklaroi Europol-i në përgjigjen dërguar REL-it.

Kosova nuk përmendet në listën e shteteve ku u kryen arrestime.

Edhe mediat në Shqipëri kanë raportuar për një situatë të ngjashme me atë në Kosovë, ku përfshihen eskorta nga shtetet e Amerikës Latine. Autoritetet shtetërore shqiptare, megjithatë, nuk iu përgjigjën pyetjeve të REL-it për këtë çështje.

Në Serbi është shënuar rritje e numrit të viktimave të identifikuara të trafikimit. Por, raportuesi kombëtar për këto raste, Zoran Pashalliq, i tha REL-it se deri tani nuk ekzistojnë të dhëna për viktima nga Amerika Latine.

Në dallim nga Serbia, të dhënat statistikore për Kosovën tregojnë se numri i viktimave të identifikuara të trafikimit është zvogëluar gjatë viteve të fundit.

Ndonëse statistikat nuk tregojnë se sa prej tyre janë shfrytëzuar seksualisht, Policia e Kosovës e konsideron këtë ndër format më të përhapura të trafikimit. Ajo pranon gjithashtu se numri i vërtetë i viktimave besohet të jetë më i madh.

Gjatë këtij muaji, Policia e Kosovës ndërmori një aksion në sallone masazhi dhe në lokale nate me muzikë, duke arrestuar disa persona.

Të arrestuarit, sidoqoftë, nuk u dyshuan për trafikim me qenie njerëzore, por për veprën penale të mundësimit të prostitucionit.

Sipas prokurores Sadiku-Sertolli, dallimi mes këtyre veprave lidhet me lirinë e personit. Trafikimi ndodh kur viktima rekrutohet, mbahet nën kontroll ose detyrohet për t’u shfrytëzuar, kurse mundësimi i prostitucionit nënkupton organizimin e prostitucionit ose nxjerrjen e përfitimeve prej saj.

Ajo thotë se trafikantët kujdesen që të mos lënë gjurmë materiale. Për këtë arsye, organet hetimore në Kosovë e kanë të vështirë të sigurojnë dëshmi të tjera përveç deklaratave të viktimave.

“Këtu, sfidë tjetër është që viktimën ta bindësh që është viktimë e trafikimit”, shprehet Sadiku-Sertolli, duke nënvizuar se kjo vështirësi është posaçërisht e pranishme te viktimat që nuk e kanë mbushur moshën 18-vjeçare.

Një raport i Policisë së Kosovës tregon se, nga viti 2021 deri më 2024, në këtë grup-moshë u identifikuan 42 viktima. Tetë prej tyre ishin nga 12 deri në 14 vjeç, ndërsa shumica besohet se janë shfrytëzuar për shërbime seksuale.

Megjithatë, sipas Sadiku-Sertollit, mungesa e provave materiale të lëna nga trafikantët nuk është pengesa e vetme për ndjekjen penale.

Prokurorja thotë se bashkëpunimi ndërinstitucional është i mirë, por disa institucione vazhdojnë të kenë kapacitete të kufizuara. Ajo përmend veçanërisht mungesën e personelit në shërbimet sociale dhe mungesën e pajisjeve të punës për zyrtarët policorë.

Të dhënat që Radio Evropa e Lirë i siguroi nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës tregojnë se, gjatë tre vjetëve të fundit, për trafikim me qenie njerëzore janë dhënë vetëm dy dënime me burgim.

Sipas Kodit Penal, trafikimi me qenie njerëzore dënohet me pesë deri në 12 vjet burgim. Në rastet më të rënda, masa ndëshkuese mund të shkojë deri në burgim të përjetshëm.

Pikërisht politika e ndëshkimeve në Kosovë kritikohet në raportin e Departamentit amerikan të Shtetit për trafikimin me qenie njerëzore për vitin 2025.

Në të thuhet se dënimet më të ulëta se minimumi i përcaktuar me ligj dhe “shqiptimi i gjobave si ndëshkim i vetëm minojnë përpjekjet për t’i mbajtur trafikuesit përgjegjës, dobësojnë efektin parandalues, krijojnë shqetësime të mundshme për sigurinë e viktimave dhe nuk pasqyrojnë seriozitetin e kësaj vepre penale”.

Dokumenti evidenton edhe një shqetësim tjetër, të cilin e ngre po ashtu prokurorja Sadiku-Sertolli: mungesën e ekspertizës dhe trajnimeve të nevojshme.

Sipas raportit, pjesa më e madhe e gjyqtarëve dhe prokurorëve nuk kanë përvojë dhe trajnim të mjaftueshëm, sidomos kur rastet përfshijnë kontrollin emocional ose psikologjik të viktimave. Kjo mund të çojë në dënime më të buta ose në rikualifikimin e rasteve si vepra penale që ndëshkohen më lehtë sesa trafikimi me qenie njerëzore.

Radio Evropa e Lirë i kërkoi Këshillit Gjyqësor të Kosovës të tregonte se me çfarë vështirësish përballen gjykatat gjatë trajtimit të rasteve të trafikimit me qenie njerëzore dhe cilat masa po merren për rritjen e kapaciteteve të gjyqtarëve në këtë fushë. Deri në publikimin e artikullit, Këshilli nuk kishte kthyer përgjigje. / REL


Shtuar 21.07.2026 15:03

matbetmatbetholiganbetjojobetultrabetcasibomcasibomcasibomcasibomşanlıurfa konteynerBetpasPusulabet girişbetciobetcio girişHoliganbetHoliganbetHoliganbetGrandpashabetGrandpashabetjojobet girişbetcioJojobetJojobetJojobetjojobetgrandpashabetcasibom girişgrandpashabetgrandpashabetganobet