Nesër nis puna e mbikëqyrjes në Kosovë, mbi 100 vëzhgues evropianë për zgjedhjet parlamentare

Teksa zgjedhjet parlamentare do të zhvillohen më 9 shkurt, Misioni i BE, njoftoi të shtunën së vëzhguesit afatgjatë do të vijnë nga 18 vende të ndryshme..

Nga nesër, tetëmbëdhjetë vëzhgues evropianë do të nisin punën e mbikëqyrjes së fushatës për zgjedhjet parlamentare në Kosovë, ndërsa nga vëzhgues vendas po vlerësohet si e ashpër dhe e përshkruar me gjuhë polarizuese e nxitëse.

Zonja Loiseau tha në konferencë shtypi se për Kosovën kurrë nuk ka qenë më e rëndësishme ruajtja e standardeve demokratike.

“Jetojmë në një kohë kur demokracitë po vihen në pikëpyetje, ndonjëherë kërcënohen globalisht. Kështu që rëndësia e sigurimit të një demokracie të qëndrueshme në Kosovë nuk ka qenë kurrë më e madhe. Prandaj ne do të vëzhgojmë, vlerësojmë dhe nëse është e nevojshme nuk do të shmangemi nga vënia në dukje e çfarëdo lloj hapësire për përmirësim aty ku ne e shohim të mundshme.

Rëndësinë e kësaj po e tregojmë edhe në numra. Në ditën e zgjedhjeve do të jenë mbi 100 vëzhgues evropianë në terren. Prandaj misioni i Bashkimit Evropian është i vemi mekanizëm vëzhgues ndërkombëtar me një prani afatgjate. Ekipet janë me kombësi dhe gjini të përzier. Ata do të vlerësojnë fushatën dhe përgatitjet për zgjedhje ndërsa mbulojnë të gjitha komunat e Kosovës. Vëzhguesit janë të pavarur dhe të paanshëm”, shprehet Loiseau.

Të enjten Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa gjobiti me 20 mijë euro Lidhjen Demokratike të Kosovës, me 12 mijë euro Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës dhe me tre mijë euro lëvizjen Vetëvendosje për shkak të siç u tha “shkeljes së kodit të mirësjelljes” gjatë fushatës për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.

Njëzetetetë forca politike, prej të cilave 20 parti politike, pesë koalicione, dy lista qytetare dhe një kandidat i pavarur, do të marrin pjesë në zgjedhjet e 9 shkurtit ku të drejtë vote kanë dy milionë votues, prej të cilëve rreth 105 mijë qytetarë jashtë Kosovës.


Shtuar 18.01.2025 19:12